Kryeministri Edi Rama ka akuzuar kreun demokrat Sali Berisha dhe ekstremistët e Antifas dhe aktorë të huaj për nxitjen e dhunës për protestën e së shtunës në Tiranë. Duke prezantuar paketën e re ligjore të masave të dhunës kundër dhunës dhe anarkisë urbane, Rama deklaroi se qeveria do të përballet me vendosmëri me aktet e dhunshme.
“Nga një anë me durim dhe me vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t'i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të Antifas që glorifikojnë dhunën kudo në Europën e Sotme dhe të duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentë, por që në fakt më shumë sesa studentë përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar dhe nga ana tjetër me adresim me adresim të kërkesës legjitime të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, të cilët me plot drejtë presin më shumë drejtësi në rishpërndarjen e të ardhurave nga rritja e ekonomisë. dhe më shumë garanci në shkallën e meritës në punë”, tha Rama.
Rama njoftoi se paketa e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane përbëhet nga gjashtë instrumente, mes tyre dëmshpërblimi i bizneseve të dëmtuara, ndryshime në ligjin për tubimet dhe Kodin Penal, krijimi i një regjistri elektronik për dhunuesit urbanë dhe ndryshime në kodin e etikës së mësuesve dhe disa porpozime për ndryshime në Kodin penal të Shqipërisë.
“Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”, theksoi Rama, duke shtuar se masat janë hartuar në referencë të Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardeve për lirinë e tubimit paqësor. (A2 Televizion)