Rripi i Gazës u zgjua këtë të martë me një tragjedi. Sipas agjencisë së lajmeve Wafa, 62 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë nga një sulm izraelit që goditi një ndërtesë banimi me 5 kate në veri të enklavës palestineze. Godina strehonte rreth 150 njerëz të zhvendosur.
Dhjetëra civilë mbetën të plagosur, ndërsa ka dhe shumë të tjerë që janë shpallur të zhdukur pas bombardimit. Kjo vjen pasi Izraeli miratoi me shumicë të madhe një ligj që ndalon Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë të operojë në atë shtet, në tokat e aneksuara të Jerusalemit Lindor dhe do të ndërpresë aftësinë për të punuar në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar. Por aleatët e shtetit hebre kanë dënuar votën në parlamentin izraelit, me ligjin që do të hyjë në fuqi brenda 3 muajve.
“Ata luajnë një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe në rajon. Por janë të pazëvendësueshëm aktualisht në Gaza, ku janë në frontin e betejës për të ofruar ndihmë humanitare për njerëzit në nevojë. Prandaj ne i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit që të frenojë zbatimin e këtij ligji. Madje ata nuk duhet ta miratojnë atë”, tha Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, thotë se Agjencia për Refugjatët Palestinezë është jetike dhe ndalimi i saj do të ketë pasoja shkatërruese për civilët. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim të madh për vendimin e Izraelit, shtet të cilin e akuzon për shkelje të ligjeve ndërkombëtare duke vendosur në rrezik jetët e miliona palestinezëve.
Qeveria e Benjamin Netanjahut ka akuzuar shpesh agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë se është përfshirë në sulmet e 7 tetorit. Kombet e Bashkuara hetuan pretendimet dhe shkarkuan 9 anëtar të agjencisë në fjalë. Ndërkohë, mediat raportojnë se Izraeli dhe Hamasi, me ndërmjetësimin e Amerikës dhe Egjiptit, janë afër pajtimit për një armëpushim prej 28 ditëve në Gaza. Në këmbim do të lirohen 8 pengje. (A2 Televizion)