Amerika “tradhton” Ukrainën, “luftë” për nëntokën dhe kufijtë

Nga Xhevahir Qardaku
23 Shkurt 2025, 18:01 | Bota

Amerika “tradhton” Ukrainën, “luftë” për

Temperaturat e larta të Arabisë Saudite shkrinë bllokun e madh të akullit të krijuar në 3 vitet e acarit mes Amerikës dhe Rusisë. Ballë për ballë u vendosën dy shahistët e gjeopolitikës, sekretari i shtetit Marco Rubio dhe ministri i jashtëm Sergej Lavrov, duke nxjerrë në tryezë, gurët respektivë të betejës.

Për katër orë dhe një drekë pune ata u pajtuan për një normalizim të marrdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës, krijimin e grupeve që do të punojnë për negociatat e fundit të luftës në Ukrainë, përfshirjen ose jo të europës, vijat e kuqe të palëve dhe lëshimet e mundshme.

Rusia doli tepër e kënaqur nga këto bisedime, për faktin se qëndrimi i tyre po dëgjohet. Jo vetëm aq, por presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi se po përqafon narrativën e Rusisë, duke sulmuar liderin ukrainas se nisi luftën dhe se nuk ka legjitimitet si president, pasi vetëm 4 për qind e popullatës e mbështesin.

Pushteti i Donald Trump vazhdon që të dërgojë shkundje të mëdha në gjeopolitikën globale. Dëshira e presidentit amerikan për t’u afruar edhe më shumë me Rusinë, u bë realitet në Riad të Arabisë Saudite.

Delegacionet e palëve u takuan dhe u pajtuan për shumë çështje, ku më kryesoret ishin: normalizimi i marrdhënieve Uashington-Moskë, krijimi i grupeve të punës që do të negociojnë paqen në Ukrainë, rikthimi i shkëmbimeve ekonomike dhe vijat e kuqe. Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, vlerësoi se vëtëm Donald Trump mund të sjellë paqen në botë.

“Unë do t'ju thoja se për t'i dhënë fund çdo konflikti, duhet të bëhen lëshime nga të gjitha palët. Ne nuk do të paracaktojmë se cilat janë ato. Ne sigurisht nuk do ta negociojmë këtë sot apo në një konferencë shtypi. Bashkimi Europian do të duhet të jetë në tryezë në një moment, sepse ata gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Por mendoj se çështja këtu është se qëllimi për të cilin ne u pajtuam: për t’i dhënë fund këtij konflikti në një mënyrë të drejtë, afatgjatë, të qëndrueshme dhe që pranohet nga të gjitha palët e përfshira. Se si do të duket, do ta mësojmë në atë që do të jetë një angazhim i vazhdueshëm.”

“Ne shpjeguam se vendosja e forcave të armatosura nga të njëjtat vende të NATO-s, por nën flamur të rremë, nën flamurin e Bashkimit Europian apo nën flamujt kombëtarë, nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim. Sigurisht që kjo është e papranueshme për ne. Ne u shpjeguam bashkëbiseduesve tanë se kemi vërejtur me shumë kujdes se Presidenti Trump në disa raste ka qenë i pari nga të gjithë liderët perëndimorë që tha se tërheqja e Ukrainës në NATO ishte një nga arsyet kryesore të asaj që po ndodh, ishte një nga gabimet më të mëdha të Bidenit dhe administratës së tij. Ne u shpjeguam kolegëve tanë atë që Presidenti (Vladimir) Putin ka theksuar vazhdimisht: se zgjerimi i NATO-s, afrimi i Ukrainës në drejtim të NATO-s, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për interesat e Federatës Ruse, një kërcënim i drejtpërdrejtë për sovranitetin tonë,” deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdoi të lundronte dhe më tej në ujrat e narrativës së Rusisë, duke sulmuar liderin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Dëgjoj se ukrainasit janë të mërzitur që nuk patën një vend në tryezë. Epo, ata e patën një ulëse për tre vjet dhe një kohë të gjatë përpara kësaj. Kjo mund të ishte zgjidhur shumë lehtë, vetëm një negociator gjysmë i pjekur mund ta kishte zgjidhur këtë vite më parë, pa humbur shumë toka, por pak territor, pa humbur ndonjë jetë njerëzore dhe pa humbur qytete. Ne kemi një situatë ku Ukraina nuk ka zhvilluar zgjedhje. Atje është në fuqi ligji i luftës. Urrej ta them, por lideri në Ukrainë ka rënë në 4% të mbështetjes nga populli. Sot dëgjova ‘po ne nuk u ftuam’. Mirpo ju keni qenë aty për 3 vite. Duhej që ta përfundonit luftën 3 vite më parë. Madje nuk duhej që ta kishit nisur atë. Mund të kishit bërë një marrëveshje.”


“Trump tha disa javë më parë se nuk do ta flakë Ukrainën në mes të ujqërve. Kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëjë. Por mendoj se kemi parë një tregues mjaft të qartë, që kur ai i vuri syrin paketës së ndihmës ndaj Ukrainës në prill të vitit të kaluar, se ai nuk është qëllimi i Trump. Tani ai është i paparashikueshëm dhe mund të ndryshojë mendje. Por mendoj se njerëzit përreth tij nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është për interesat Amerikane që Putin të mos e fitojë këtë luftë në Ukrainë dhe të mos marrë kontrollin e atij vendi, gjë e cila do të ndodhë nëse ne ndalojmë ndihmat për Ukrainën. Trump e kupton se do të jetë një disfatë për Shtetet e Bashkuara dhe për të personalisht nëse mbështet një marrëveshje që lejon Putin të marrë kontrollin e Ukrainës.”


“Tradhëti e madhe për gjunjëzim përballë Putin”. Kështu i ka cilësuar bisedimet e paqes mes Amerikës dhe Rusisë pa Ukrainën në Arabi, presidenti Volodymyr Zelenski.

Lideri i Kievit ka paralajmëruar se nuk do të pranojë asnjë rezultat të negociatave apo marrëveshje që mund të arrihet për vendin e tij, pa patur një ulëse në tryezën e madhe. E në fakt, alarmi në Ukrainë nuk buron vetëm nga ajo që artikulohet nga Shtëpia e Bardhë, por nga plani që është përpiluar si e zeza mbi të bardhë.

Përveç se Ukraina pritet të humbasë 30 për qind të territorit të pushtuar nga rusët, mund të mbesë edhe pas qasje në nëntokën e pasur me Litium, Uranium, Kristale Grafiti dhe Titani. I gjithë ky lëshim vetëm për të marrë mbrojtje nga ndonjë pushtim tjetër i mundshëm.”

Media të rëndësishme si The Telegraph dhe Financial Times kanë parë dokumentin konfidencial të Shtëpisë së Bardhë: në këmbim të mbrojtjes, kërkesat nuk kanë të bëjnë vetëm me shfrytëzimin e vendburimeve minerale, por edhe me portet, infrastrukturën, naftën dhe gazin, duke pasqyruar kështu një fund, që për shumë ekspertë vlerësohet si më i keq se ai që iu imponua Gjermanisë në Versajë.

“Unë po mbroj Ukrainën, nuk mund ta nxjerr atë në shitje. Unë nuk mund të shes shtetin tim. Kërkesa amerikane për kthimin e 500 miliardë dollarë si pjesë e një marrëveshje për mineralet e rralla nuk është një bisedë serioze dhe nuk do të ndihmojë marrdhëniet tona. Ne duhet të punojmë për një dokument serioz që përmban garanci për sigurinë dhe NATO është garancia më e fortë. Sa i përket ndihmës financiare ne kemi numra krejtësisht të ndryshëm, për fat të keq. Gjithçka është shumë e qartë për ne. Lufta na kushtoi 320 miliardë dollarë. 120 miliardë i kemi dhënë ne, populli i Ukrainës, taksapaguesit. 200 miliardë janë nga SHBA dhe BE.”


Presidenti ukrainas vulosi ndarjen me liderin amerikan Donald Trump, në reagimin e tij për atë që e konsideroi përpjekje për kolonizimin ekonomik të vendit.

“Nëse dikush dëshiron që të më zëvendësojë mua tani, do t’i them se nuk do të ndodhë. Ndërsa ne flasim për 4%, e dimë se është një dezinformatë që vjen nga Rusia. Ne e kuptojmë dhe kemi prova që këto shifra po diskutohen mes Amerikës dhe Rusisë. Për fat të keq, presidenti Trump, të cilin ne e respektojmë shumë si liderin e një kombi të dashur për ne, Amerikës, që na ka mbështetur gjithë kohën, jeton në sferën e dezinformimit rus. Besoj se Shtetet e Bashkuara ndihmuan Putinin të dilte nga vitet e izolimit. Do preferoja që ekipi i Trump të mësonte më shumë të vërtetën dhe se e gjithë kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në Ukrainë. Mendoj se Putini dhe Rusët janë shumë të lumtur sepse janë të përfshirë në dikustimi dhe në Riad dolën sinjale sikur ata ishin viktima. Rusia mbetet pala fajtore dhe ju nuk mund t'i pastroni ato si paratë dhe fshini me një të rënë lapsi përgjegjësinë e tyre për luftën. Ne e duam paqen më shumë se kushdo tjetër. Por na duhen garanci për sigurinë.”

Si për të konfirmuar ndarjen përfundimtare, Donald Trump, do të bënte këtë reagim kundër Zelenskit.

“Mendojeni pak: një komedian pak i suksesshëm, Volodymyr Zelensky, i bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzojnë 350 miliardë dollarë për një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që, pa SHBA-në dhe "Trump", nuk do të mund ta zgjidhte kurrë. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë dollarë më shumë se Europa, ndërkohë që paratë e Evropës janë të garantuara, ndërsa SHBA-të nuk do të marrin asgjë. Pse "Gjumashi" Joe Biden nuk kërkoi barazim, duke qenë se kjo luftë është shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne - ne kemi një oqean të madh e të bukur si ndarës? Përtej kësaj, Zelensky pranon se gjysma e parave që i dërguam atij "MUNGON". Ai refuzon të realizojë zgjedhjet, ai është shumë poshtë në sondazhet në Ukrainë, dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti ishte "të luante" me Biden "si një violinë". Një diktator pa zgjedhje, Zelensky duhet të lëvizë shpejt, ose nuk do t'i mbetet asgjë. Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses përfundimin e luftës me Rusinë, diçka që të gjithë e pranojnë që vetëm “Trump” dhe administrata Trump mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa dështoi të sillte paqen dhe Zelensky ndoshta dëshiron të mbajë “rubinetin e artë" nga rrjedhin paratë. Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe MILIONA njerëz kanë vdekur pa qenë e nevojshme - dhe e gjithë kjo vazhdon.”


Don Bacon | Kongresmen Republikan


“Presidenti duhet që t’ia nisë edhe njëherë nga e para. Ai mori një kthesë të keqe. Unë mendoj se ajo që tha është e gabuar, dhe është për turp. Shumë republikanë, ndoshta të gjithë, e dinë se çfarë tha presidenti ishte e gabuar. Putini e filloi këtë pushtim. Ai është diktatori. Ai ka vrarë të gjithë kundërshtarët e tij. Zelensky u zgjodh me të drejtë. Ai është nën ligjin ushtarak dhe ata sipas kushtetutës së tyre nuk mund të mbajnë zgjedhje. Ukraina është viktima dhe unë do t'i kërkoja presidentit tonë të qëndrojë në anën e lirisë, në anën e demokracisë, në anën e viktimës, jo të pushtuesit. Ju duhet të shtyni prapa agresorin. Zelenski është viktima. Pushtuesi është Putin. Bombardimi i qyteteve u bë nga Putin. Rusët po zhdukin qytetet që kanë marrë dhe ata kanë vrarë robër lufte. Ata kanë përdhunuar dhe plaçkitur. Rusia është në anën e keqe këtu, dhe ne kemi nevojë për një president që ka qartësi morale kur bëhet fjalë për këtë luftë.”

“Tashmë mund ta themi: Rusia po rezulton fitimtare nga e gjithë kjo situatë. Vladimir Putin po sheh dalë nga dalë që t’i plotësohen thuajse të gjitha dëshirat: projeksioni që del nga plani i paqes që po thuret gati në fshehtësi nga Ukraina, i jep Rusisë jo vetëm Krimenë, por edhe katër rajonet e aneksuara në lindje. Kushtet e vendosura për të ulur armët janë po ato që e nisën këtë luftë: çarmatosja e Ukrainës, neutraliteti ushtarak, pra mbyllja e derës së anëtarësimit në NATO, ndërsa lëshimi i vogël që bëhet është lejimi i pranimit të Ukrainës në Bashkimin Europian.”


Vladimir Putin | President i Rusisë

“Qëllimi dhe subjekti i negociatave tona ishte rikthimi i marrëdhënieve Rusi-SHBA. A duhej që dikush të ishte ndërmjetës mes Rusisë dhe SHBA-ve? Kjo është një kërkesë e tepërt. Gjëja kryesore në zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme, përfshirë paktin e paqes në Ukrainës, është se pa rritur nivelin e besimit mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është e pamundur për të zgjidhur shumë probleme, përfshirë këtu edhe krizën në Ukrainë. Sa i përket procesit të negociatave, presidenti Trump më ka thënë gjatë telefonatës tonës, dhe këtë mund ta konfirmoj, se SHBA-të vlerësojnë se Rusia dhe Ukraina do të marrin pjesë në bisedime. Askush nuk po e përjashton Ukrainën nga ky proces. Prandaj nuk ka asnjë arsye pse të reagohet kështu ndaj takimit Rusi-SHBA. Do të jetë një kënaqësi të takoj Donaldin. Nuk jemi parë për shumë kohë. Ne nuk kemi një marrëdhënie të afërt, por gjatë katër viteve kur ishte president, jemi takuar dhe kemi diskutuar hapur.”


Jeffrey Engel | Historian

“Ukraina është një gur i vogël në fushë, por ‘elefanti në dhomë’ është përjashtimi i aleatëve europianë apo fakti që ata po nisin të bëjnë plane pa Shtetet e Bashkuara. Ne tani po shohim një përmbysje të plotë të Partisë Republikane, që historiskisht ka qenë ajo që ka kundërshtuar regjimet diktatoriale si Bashkimi Sovjetik apo Rusia dhe tani po e përqafon në tërësi atë. Është vërtetë befasuese. E vërteta e çështjes është se ajo që ne po bëjmë tani, ajo që po bën Trump është pikërisht ajo që dëshiron Kremlini. Është pikërisht ajo që dëshiron Putini për t'i dhënë më shumë besueshmëri në Europë. Është pikërisht ajo që dëshiron Kremlini në drejtim të shkatërrimit të strukturës së NATO-s dhe mbjelljes së mosbesimit dhe rritjes së gjasave që do të ketë një operacion të pavarur europian ose një ushtri të pavarur europiane në të ardhmen. Pra, në thelb Donald Trump po bën pikërisht atë që për 80 vjet, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të pengojnë armikun e tyre të bëjë."


“Një pjesë e rëndësishme e këtij mozaiku politik janë Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe. Të shqetësuar se po përjashtohen nga planet për paqen, liderët europianë u mblodhën me urgjencë në Paris nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Diskutimet ishin të forta dhe varionin nga plotësimi i boshllekut të madh që lë tërhejqa Amerikane për ndihmën e Ukrainës, të rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe krijimit të një blloku të ri për sigurinë europiane. Por 11 liderët nuk u pajtuan për ndonjë marrëveshje apo pakt në fund, gjë e cila tregoi dhe njëherë ndasitë e mëdha në qëndrime mes të mëdhenjëve. Pyetja që lind natyrshëm në këtë skenar është, pse europianët e kanë kaq të vështirë që të shndërrohen në lojtarin e madh gjeopolitik dhe çfarë roli mund të kenë në vendosjen e paqes në kontinentin e vjetër?

“Teksa retë mbi Ukrainë po errësohen gjithnjë e më shumë në epokën e vetshpallur të artë të Amerikës së Donald Trump, shanset për një kompromis të mirë po veniten. Politika në Kiev kërkon marrëveshje me ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, por tashmë kjo pasqyrohet si një anije që e ka lënë me kohë portin e saj. Në horizont shfaqen përherë e më tepër pakte të dhimbshme për Ukrainën me humbje të territorit dhe të pasurive nëntokësore.

Madje po shkohet deri aty sa po humb edhe aspiratën kryesore, pranimin në NATO. Rusia po fiton gjithçka, të paktën në këtë pikë.

Pyetja që të gjithë shtrojnë është se si do të duket marrëveshja e paqes dhe sa Ukrainë do të mbetet pas marrëveshjes pa marrëveshje që po thuret në Uashington dhe Moskë?

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos