Lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës po prek gjithnjë e më shumë rekorde negative. Ushtria e Moskës ka lëshuar gjatë natës 267 dronë mbi të gjithë Ukrainën, gjysma e të cilëve janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore, shkruan A2 CNN.
Forcat e Kievit konfirmuan se bëhet fjalë për një rekord absolut, ndërsa të hënën bëhen 3 vite që nga nisja e konfliktit të armatosur. Nuk është e qartë se sa njerëz kanë vdekur, por shifrat fillestare nga shërbimet e urgjencës sugjerojnë se ka pasur të paktën tre viktima.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se 20 dronë ukrainas janë rrëzuar gjatë natës. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Kievi ka nevojë për forcën e të gjithë Europës, SHBA-së dhe të gjithë atyre që kërkojnë paqe të qëndrueshme.
Lideri rus, ndërkohë, ka nisur që të flasë si një profet. Sipas Vladimir Putin, Zoti i dha atij dhe ushtrisë misionin për të “mbrojtur Rusinë”.
“Fati e deshi kështu, dhe kështu bëri Zoti, më dha mision për të mbrojtur Rusinë, një mision i vështirë dhe i nderuar është vendosur mbi supet e mia dhe tuajat, së bashku”, tha presidenti rus në një ceremoni të ndarjes së nderimeve ushtarake në Ditën e Mbrojtësit të Atdheut.
(A2 Televizion)