Antisemitizmi po rikthehet. Ky ishte mesazhi kryesor që u dha nga të mbijetuarit e Aushvicit, teksa shënuan 80-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të vdekjes, nga trupat sovjetike në një nga takimet të atyre që përjetuan tmerret e tij.
Ceremonia në vendin e kampit, që Gjermania naziste ngriti në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore për të vrarë hebrenjtë evropianë, u ndoq nga kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, mbreti i Britanisë Charles, Presidenti francez Emmanuel. Macron, presidenti polak Andrzej Duda dhe shumë liderë të tjerë. Ata nuk mbajtën fjalime, por dëgjuan ndoshta për herë të fundit ata që vuajtën dhe dëshmuan një nga mizoritë më të mëdha të njerëzimit.
“Ka pasur gjithmonë një pakicë të vogël prej nesh, ata që kaluan nëpër të gjitha ato vuajtje dhe jetuan. Ky numër në vetvete ishte shumë pak, dhe ata që jetuan për të parë lirinë, me të vërtetë janë kaq pak, dhe tani ka mbetur vetëm një grusht. Le të mos kemi frikë të demonstrojmë të njëjtin guxim sot, kur Hamasi përpiqet të mohojë masakrën e 7 tetorit. Le të mos kemi frikë nga kundërshtimi i teorive konspirative që thonë se e gjithë e keqja e kësaj bote rezulton nga një komplot i nisur nga disa grupe shoqërore të papërcaktuara dhe hebrenjtë shpesh përfshihen në këtë”, tha Marian Turski, i mbijetuar i Auzhvicit.
Mjeku në pension Leon Weintraub, 99 vjeç, i cili u nda nga familja e tij dhe u dërgua në Aushvic në vitin 1944, paralajmëroi për rreziqet e intolerancës.
"Prandaj e përsëris, jini të vëmendshëm dhe vigjilentë. Ne të mbijetuarit e kuptojmë se pasojat e të qenit i ndryshëm është persekutimi aktiv, efektet e të cilit i kemi përjetuar personalisht në lëkurën tonë. Prandaj le të jemi shumë seriozë dhe ta marrim seriozisht atë që predikojnë armiqtë e demokracisë, ata në përgjithësi kërkojnë të zbatojnë këto slogane që ata promovojnë”, u shpreh Leon Weintraup, i mbijetuar i Auzhvicit.
Incidentet antisemitike janë rritur pjesërisht së bashku me protestat kundër Izraelit në shumë pjesë të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Australisë që kur Izraeli filloi sulmin e tij në enklavën palestineze të Gazës pas sulmeve ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit më 7 tetor 2023.
Ronald Lauder, president i Kongresit Botëror Hebre, tha se urrejtja ndaj hebrenjve po rritej në sfondin e asaj lufte, duke shtuar: "Të rinjtë po marrin shumicën e informacionit të tyre nga mediat sociale dhe kjo është e rrezikshme".
Presidenti Duda u tha gazetarëve në kamp se "ne polakët, në tokën e të cilëve gjermanët ndërtuan këtë kamp përqendrimi, jemi sot rojtarët e kujtesës". Më shumë se 1.1 milion njerëz, kryesisht hebrenj, vdiqën në dhomat e gazit ose nga uria, të ftohtit dhe sëmundjet në Aushvic, ku shumica ishin sjellë me vagona mallrash, të mbushura si bagëti. Më shumë se tre milionë nga 3.2 milionë hebrenjtë e Polonisë u vranë nga nazistët. (A2 Televizion)