
Katër persona janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Sipas Policisë, protestuesit kundërshtuan dhe goditën efektivët me sende të forta dhe lëndë piroteknike, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan lëndë narkotike kanabis, një send metalik shpues, një imitues arme zjarri dhe 50 sfera metalike.
Në zbatim të Aktit Normativ janë vendosur 12 masa administrative, ndërsa një prej tyre, në vlerën 500 mijë lekë, është dhënë ndaj një protestuesi që goditi me gurë policinë dhe godinën e Kryeministrisë.
Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunës.

Njoftimi i Policisë Tiranë
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 4 shtetas, procedohen penalisht 7 të tjerë.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, mjete për të hedhur gurë dhe sfera metalike, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Vendosen 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, njëra prej tyre në vlerën 500 000 lekë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 7 shtetas.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit K. N. iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm.
Njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Punonjësit e Policisë i kanë bërë disa thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tubimit, por ai nuk i ka respektuar këto thirrje.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)