Arrestohet në Kolumbi një nga krerët e 'Ndrangheta-s

Nga A2 CNN
10 Gusht 2025, 09:37 | Bota

Arrestohet në Kolumbi një nga krerët e 'Ndrangheta-s

Federico Starnone, 46 vjeç, një nga personazhet më të kërkuar të ‘Ndrangheta-s dhe me origjinë nga Platì, është arrestuar në Cali të Kolumbisë.

Ai u kap në një apartament luksoz në departamentin Valle del Cauca, si rezultat i një operacioni të përbashkët mes policisë kolumbiane, forcave speciale dhe Drejtorisë së Antimafias në Reggio Calabria, me ndihmën e dronëve që ndihmuan në lokalizimin e tij pas ditësh në lëvizje.

Starnone ishte në kërkim që nga qershori 2025, i akuzuar për rolin e tij qendror në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës mes Amerikës Latine dhe Italisë. Sipas hetimeve, ai shërbente si ndërmjetës mes karteleve kolumbiane dhe ekuadoriane dhe grupeve mafioze nga Kalabria.

Operacioni ndërkombëtar, i koordinuar nga Antimafia italiane dhe policia kolumbiane, çoi gjithashtu në ekzekutimin e mbi 20 masave ndaluese ndaj personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.

Arrestimi i Starnones konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve kriminale ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos