“Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, letra e 49-vjeçares së vrarë për Prokurorinë

Nga Leonora Kolukaj
26 Tetor 2026, 09:41 | Aktualitet

“Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta

Vetëm tri ditë para se t’i merrej jeta, Arlinda Sylaj Zekaj u kishte shkruar institucioneve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun me të cilin, sipas saj, po përballej.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shprehej ajo.

Këto fjalë i kishte shkruar 49-vjeçarja në një letër drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë. Dokumenti mban vulën e pranimit të datës 22 tetor.

Në letër, Arlinda kërkonte zbatimin e një vendimi gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, të cilët, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre. Ajo pretendonte se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Por tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda u gjet e vrarë në shtëpinë e saj, në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj.

Sipas Policisë së Kosovës, autoritetet ishin njoftuar për një rast të dhunës në familje dhe Arlinda ishte shoqëruar në stacion policor për intervistim. Bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, ndërsa ajo ishte dërguar në shtëpi me vullnetin e saj, sipas versionit të Policisë.

Rreth orës 21:10, autoritetet morën njoftimin se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Policia bëri të ditur se vdekja dyshohej të ishte shkaktuar nga goditjet me një mjet të fortë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos