
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, në një lidhje direkte me studion e “Rretheqark” në A2CNN, zbuloi rezultatet e negociatave të fundit për një përfundim të luftës në Ukrainë.
“Kemi disa rezultate nga negociatat. Çfarë është më e rëndësishme është që Europa dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë për garancitë e sigurisë për Ukrainën, që mund të jetë edhe artikulli 5 i NATO-s. E dyta, Europa propozon për Rusinë që të ndalë luftën, të paktën të ketë një armëpushim për Krishtlindje dhe të punohet drejt paqes. Shpresojmë që t’ia arrijmë”, tha Goncharenko.
Sipas tij, “fitorja për Ukrainën është që Ukrainë të ekzistojë”.
“Kjo do të ishte fitorja jonë, por fatkeqësisht territoret tona janë të pushtuara nga një fuqi e huaj dhe për momentin nuk shikoj ndonjë mundësi për çlirimin e këtyre territoreve me mbështetjen që kemi. Negociatat janë të vështira, shumë plane ndryshojnë, por të shpresojmë për paqen dhe rezultati i tyre të jetë përfundimtar”, u shpreh deputeti ukrainas. (A2 Televizion)