Intervistat pas ndeshjes, kuqezinjtë: Vuajtëm pak, por rëndësi kanë 3 pikët

Nga A2 CNN
7 Tetor 2026, 13:58 | Futboll

Pas ndeshjes, disa prej lojtarëve kuqezi treguan vështirësitë që solli ndeshja ndaj San Marinos.

Pavarësisht se mes shumë vuajtjesh e rëndësishme për ata në fund janë 3 pikët e takimit që i çojnë në vendin e parë të grupit C1 në Ligën e Kombeve, shkruan A2.

“Ndeshje të lehta nuk ka. E rëndësishme që morëm tre pikë sepse në fund kanë vlerë jashtëzakonisht të madhe. Jemi në vendin e parë dhe kemi gjithçka në dorën tonë. Në nëntor shpresojmë të jemi të gjithë shëndoshë dhe mirë sepse kemi finalen mee Bjellorusinë. I kemi dy finale për vendin e parë edhe nganjëherë edhe pse pret rezultat më të thellë me këto ekipe, nuk është e lehtë, kështu që me rëndësi janë tre pikët”, tha Ismajli.

Ndërsa Elseid Hysaj u shpreh: “Këto fitore janë të vuajtura sepse futbolli është i tillë. Në letër mund të duket që është një skuadër e lehtë, por mund të vështirësohen gjërat nëse ti nuk i shënon gol ato raste që ke. Me këto skuadra duhet të bësh gol dhe pastaj mund të mbarojë ndeshja edhe 4-0. Deri në fund, derisa matematika thotë që ne mund të luftojmë për vendin e parë, ne do luftojmë dhe do jemi gati për vendin e parë”.

“E dija që nuk është e thjeshtë, por besova te kualiteti jonë që ta bëjmë sa më të thjeshtë këtë ndeshje. Nuk doli ashtu dhe besoj në fund e vetmja gjë që ishte pozitive është rezultati dhe ky do të jetë mësim jo vetëm për ndeshjet e nëntorit, por për të ardhmen e gjithë çunave që ishin sot në fushë”, deklaroi kapiteni Gjimshiti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos