
Forcat ukrainase besohet se kanë realizuar për herë të parë shkatërrimin e një nëndetëseje ushtarake përmes dronëve detarë, në një sulm të zhvilluar në portin e Detit të Zi, Novorossiysk. Pamjet e publikuara nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës tregojnë momentin kur dronët “Sea Baby” shpërthejnë pranë objektivit, duke ngritur lartë një dallgë të madhe dhe mbetjesh mbi bazën detare.
Sipas SBU-së, nëndetësja ka pësuar dëmtime tw rwnda dhe është nxjerrë jashtë funksionit. Operacioni, i kryer në bashkëpunim me marinën ukrainase, cilësohet si rasti i parë i dokumentuar kur një dron detar neutralizon një nëndetëse luftarake.
Objektivi ishte një nëndetëse e klasit 636.3 “Varshavyanka”, varianti më modern i flotës ruse me motorë dizel-elektrikë. Këto mjete konsiderohen ndër më të fshehtat në botë, aq sa nga ushtria amerikane janë quajtur “Vrimat e Zeza”, për shkak të vështirësisë së zbulimit të tyre. Ato mund të operojnë në thellësi rreth 240 metra dhe janë të armatosura me torpedo, mina dhe raketa lundruese, shkruan A2 CNN.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se në momentin e sulmit, nëndetësja mbante katër raketa Kalibr, me rreze veprimi deri në 2,500 kilometra. Kostoja e një mjeti të tillë vlerësohet në qindra miliona dollarë, ndërsa zëvendësimi i saj, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, mund t’i kushtojë Moskës deri në gjysmë miliardi dollarë.
Dronët “Sea Baby”, të zhvilluar pas nisjes së luftës, mund të mbajnë deri në 860 kilogramë eksploziv dhe janë shndërruar në një armë kyçe të strategjisë detare të Ukrainës. (A2 Televizion)