Askush nuk do paqe, Hamasi refuzon planin amerikan që pranoi Izraeli

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 07:28 | Bota

Askush nuk do paqe, Hamasi refuzon planin amerikan që pranoi Izraeli

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se grupi palestinez do të refuzojë propozimin e fundit të SHBA-së për një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ky propozim, i paraqitur nga dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, është mbështetur nga Izraeli dhe përfshin një armëpushim 60-ditor dhe shkëmbimin e pengjeve. Megjithatë, Hamas thotë se plani nuk përmbush kërkesat e tij themelore, përfshirë ndalimin e luftës dhe heqjen e bllokadës.

Izraeli ka rinisur ofensivën ushtarake kundër Hamasit në Gaza që nga mesi i marsit, pas dështimit të një armëpushimi dy-mujor të ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti. Që nga ajo kohë, mbi 3,000 persona janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamas.

Po ashtu, rreth 600,000 njerëz janë zhvendosur brenda territorit, ndërsa një raport i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se rreth 500,000 persona përballen me nivele katastrofike urie në muajt e ardhshëm.

Në një konferencë shtypi në Uashington, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u pyet nëse mund të konfirmonte një raport të televizionit Al-Arabiya, i cili sugjeronte se Izraeli dhe Hamas kishin rënë dakord për një marrëveshje të re armëpushimi.

Leavitt konfirmoi se dërguari i posaçëm Witkoff dhe presidenti amerikan kishin paraqitur një propozim, por nuk dha detaje të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos