Avionët luftarakë sauditë goditën milicitë shiite në Irak

Nga A2 CNN
13 Maj 2026, 20:01 | Bota

Avionët luftarakë sauditë goditën milicitë shiite

Avionët luftarakë sauditë bombarduan objektiva të lidhura me milicitë e fuqishme shiite të mbështetura nga Teherani në Irak gjatë luftës së Iranit, ndërsa sulme hakmarrëse u nisën gjithashtu nga Kuvajti në Irak, thanë për Reuters burime të shumta të njohura me çështjen.

Sipas raportit, avionët luftarakë sauditë goditën pozicione pranë kufirit verior me Irakun, nga ku dyshohet se ishin nisur sulme me dronë dhe raketa kundër shteteve të Gjirit.

Burimet thanë se edhe nga territori i Kuvajtit janë kryer sulme raketore ndaj milicive në jug të Irakut, ku u goditën baza të përdorura nga grupi pro-iranian Kataib Hezbollah për komunikime dhe operacione me dronë.

Reuters nuk arriti të konfirmojë nëse raketat u lëshuan nga ushtria kuvajtiane apo nga forcat amerikane të stacionuara në vend.

Raporti thekson se tensionet u përshkallëzuan pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, që çuan në kundërpërgjigje iraniane ndaj Izraelit dhe vendeve të Gjirit.

Arabia Saudite dhe Kuvajti thuhet se humbën durimin pas sulmeve të vazhdueshme nga milicitë pro-iraniane në Irak, të cilat akuzohen për sulme ndërkufitare me raketa dhe dronë.

Sulmet janë pjesë e një modeli më të gjerë të përgjigjeve ushtarake rreth Gjirit, të cilat mbetën kryesisht të fshehura gjatë një konflikti që ka përfshirë Lindjen e Mesme që nga sulmet e përbashkëta izraelito-amerikane ndaj Iranit më 28 shkurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos