Berisha nis turin në bazë: Analizë, jo gjueti shtrigash mes demokratëve

Nga Anesti Barjamemaj
2 Dhjetor 2025, 23:37 | Bota

Në takimin e parë me bazën e partisë, Berisha premtoi një analizë të plotë për zgjedhjet e 11 majit, ku paralajmëroi të tijtë se faji nuk duhet të ketë emra të përvetshëm.

“Në këtë analizë, jeni të ftuar secili prej jush të japë mendime, të bëjë kritika për cilido, të bëjë propozime. Kam vetëm dy kërkesa. Jo gjah shtrigash. Ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave, por japim përgjegjësinë me fakte, me argumente secilit”, tha Berisha.

Pavarësisht se rezultatin e 11 majin e konsideron të manipuluar dhe Ramën përgjegjës për masakrën zgjedhore, demokratëve u pohon se vota e tyre është mbrojtur, shkruan A2 CNN.

“Kur kam thënë do mbrojmë votën, nuk kam thënë se do e mbrojmë me kallashnikovë, as me armë, por e mbrojtëm votën në vitin 2001 ishit dëshmitarë vetë se çfarë bëri policia për të na i marrë zgjedhjet, por mori një damkë ndërkombëtare”.

Vetë nuk u mor me foltoren paralele që po bëhet nga ish-deputeti Ervin Salianji, por kryetarja e degës 9, Eda Grimci, e cila hodhi akuza ndaj atyre që kritikojnë Partinë Demokratike, por siç ajo u shpreh nuk bëjnë asgjë kundër qeverisë.

Koha e gjatë pa u takuar me demokratët nuk kishte shërbyer për të pajtuar të mërziturit, por duket se kishte akumuluar mëritë ndaj lidershipit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos