Sulmi iranian ndaj bazës italiane në Kampin Singara në Erbil të Irakut, ka nxitur frikën e përfshirjes së mundshme të Italisë në konfliktin midis Iranit dhe aleancës SHBA-Izrael.
Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i cili ka qenë aktiv në teatrot e operacioneve të Lindjes së Mesme për vite me radhë, foli për këtë çështje. Spektri i një konflikti që mund të përhapet në Evropë duhet të përjashtohet, por në çdo rast, "nuk ka asnjë kërcënim që Perëndimi dhe NATO janë të paaftë ta adresojnë", tha Dragone në një intervistë për median italiane La Reppublica.
Ai thotë se "Perëndimi është në kundërshtim me Boshtin e së Keqes, pjesë e të cilit është Irani, gjë që përbën një sfidë për sigurinë tonë, për mënyrën tonë të jetesës, shkurt, për demokracitë tona".
Në intervistë, ai pohon se "nuk ka asnjë kërcënim që Perëndimi dhe NATO nuk mund ta adresojnë, me një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me BE-në dhe OKB-në. Opinionet mund të ndryshojnë për çështje të caktuara. Por kohezioni i Aleancës është i padiskutueshëm. Besueshmëria e Perëndimit është në rrezik".
Sa i përket kohëzgjatjes së luftës në Iran, Cavo Dragone thekson se, "është e vështirë të bësh ndonjë parashikim. Do të duhet të presim dhe të shohim se si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli do të vlerësojnë efektet e arritura në terren. NATO nuk është e përfshirë në operacionet e luftës dhe ne nuk kemi analizën e tyre të thellë të situatës specifike".
Sigurimi i Ngushticës së Hormuzit, nga ana tjetër, "nuk është një operacion i pamundur, por është shumë i vështirë sepse Irani, nuk dua të them se ka kontroll të plotë të Ngushticës, por është në një pozicion shumë të favorshëm . Në misionet e vjetra të Marinës, ishte e nevojshme të neutralizoheshin minat që lëviznin. Tani ekziston një ndryshore që hyn me forcë në ekuacionin e sigurisë: dronët".
Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk kishte "absolutisht asnjë plan" për të marrë pjesë në operacionin ushtarak SHBA-Izrael kundër Iranit. (A2 Televizion)