
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar pas pretendimeve të protestuesit Enea Gjodedja për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të komisariatit.
Policia i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke dhënë versionin e saj për shoqërimin dhe procedimin e këtij shtetasi mbrëmjen e 17 nëntorit 2026.
Sipas policisë, shtetasi është shoqëruar në komisariat dhe, pas veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për pesë vepra penale, mes tyre kundërshtim të punonjësit të policisë, prishje të qetësisë publike dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Në reagim thuhet se, në momentin e largimit nga komisariati, ai ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera, ku ka deklaruar se nuk kishte pretendime për punonjësit e Policisë. Gjithashtu, sipas DVP Tiranë, ai nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit Nr. 1.
Policia bën me dije se më 18 nëntor, rreth orës 15:05, shtetasi është paraqitur në spital me dëmtime në syrin e majtë. Kur është pyetur nga punonjësit e Policisë, ai ka deklaruar se një natë më parë, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, ishte ndaluar dhe dhunuar nga disa persona të panjohur.
Sipas policisë, gjatë pyetjeve ka qenë i pranishëm edhe një avokat, ndërsa shtetasi nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për rastin është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.
(A2 Televizion)