Breshër rekord dhe stuhi të dhunshme në Itali, ekspertët: Rrezik për jetën

Nga A2 CNN
19 Korrik 2026, 12:54 | Bota

Breshër rekord dhe stuhi të dhunshme në Itali, ekspertët:

Italia po përballet me një rritje të ndjeshme të stuhive të breshërit, si në frekuencë ashtu edhe në intensitet, një fenomen që ekspertët e lidhin drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Reshjet e fundit në Milano, të cilat detyruan ndërprerjen e koncertit të artistit Bad Bunny dhe shkaktuan të plagosur nga breshëri, janë shembulli më i fundit i këtij fenomeni shqetësues.

Sipas të dhënave të European Severe Storm Laboratory, mundësia për të regjistruar breshër me kokrra shumë të mëdha, me diametër mbi 5 centimetra, është sot rreth trefish më e lartë krahasuar me vitet 1950. Italia veriore është ndër zonat më të ekspozuara, për shkak të kombinimit të ajrit të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu me relievin alpin, që krijon kushte ideale për zhvillimin e stuhive të fuqishme.

Shkencëtarët shpjegojnë se temperaturat gjithnjë e më të larta të Mesdheut rrisin avullimin dhe energjinë në atmosferë. Kur masat e ajrit ngjiten drejt lartësive dhe përplasen me ajrin e ftohtë, krijohen rryma të forta ngjitëse që mbajnë kokrrat e akullit pezull për më gjatë, duke u shtuar shtresa të reja akulli deri sa ato arrijnë përmasa të mëdha.

Italia është ndër vendet evropiane që ka regjistruar një rritje të temperaturës mesatare prej afro 2°C, çka ka favorizuar valë më të shpeshta të të nxehtit dhe stuhi më intensive.

Përveç rrezikut për njerëzit, breshëri gjigant po shkakton dëme të konsiderueshme në bujqësi, automjete, çati dhe panele diellore, duke ngritur shqetësime edhe për sigurinë e aktiviteteve të mëdha në ambiente të hapura. Rekordi evropian i breshërit i përket Italisë, ku në vitin 2023 u regjistrua një kokërr me diametër 19 centimetra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos