
Një zjarr në një sipërfaqe pyjore midis fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, është konstatuar këtë mbrëmje në Gjirokastër. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes u nisën dy grupe shërbimi me dy automjete zjarrfikëse.
Me mbërritjen në vendngjarje u konstatua se zjarri kishte dy vatra aktive, të përhapura në dy kodra të ndryshme, shkruan A2. Ndërhyrja me automjete është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.
Për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të përfshirë nga flakët, situata është vlerësuar si zjarr masiv, ndaj është angazhuar i gjithë efektivi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH).
Aktualisht, forcat e MZSH-së po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq. (A2 Televizion)