Burri me një çantë me eksploziv kërcënon se do hedhë në erë Gjykatën e Selanikut

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2024, 11:11 | Bota

Një burrë që ka kërcënuar të hedhë ne erë me eksploziv gjykatën e Selanikut është neutralizuar nga policia greke jashtë ambienteve të organit të drejtësisë.

Herët në mëngjes ai u ngjit në shkallët e gjykatës duke kërcënuar se do të aktivizonte pajisjen e improvizuar që mbante në duar, teksa thërriste: “Do ju hedh në erë, sillni ministrin”.

Në çantën e tij është gjetur një mjet shpërthyes me fuqi të ulët, me të cilën kërcënoi se do të shpërthente gjykatën e Selanikut. Pajisja e improvizuar ishte formuar me mjete piroteknike dhe përbëhej nga nëntë fishekzjarrë të mëdha dhe një bazë e cila gjithashtu përmbante përbërje piroteknike.

Ai po ashtu kishte me vete instalime elektrike dhe bateri. Sipas policisë greke nëse do të kishte ndodhur shpërthimi do të shkaktonte lëndime të rënda në distancë të afërt deri në rreth tre metra ose më shumë.

Në çantën e burrit po ashtu u gjet edhe një armë, e cila u konstatua se ishte false.

Burri është arrestuar dhe sipas informacioneve të para rezulton se vuan nga probleme psikologjike.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos