"Cili është çmimi?" Putin: Jemi dakord me propozimin e armëpushimit

Nga Rosalba Bejdo
13 Mars 2025, 19:43 | Bota

Rusia është e gatshme të pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për një armëpushim në Ukrainë. Kështu është shprehur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një konferencë për mediat gjatë takimit me liderin e Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko. Por sipas Putin, kjo marrëveshje duhet të sqarohet deri në fund dhe duhet të merret me shkaqet rrënjësore të konfliktit, shkruan A2 CNN.

"Ne pajtohemi me propozimet për ndërprerjen e armiqësive. Por ne theksojmë faktin se kjo ndërprerje duhet të jetë e tillë që të çojë në paqe afatgjatë dhe të eliminojë shkaqet fillestare të kësaj krize. Ideja në vetvete është e saktë dhe ne sigurisht e mbështesim atë. Por ka çështje që ne duhet t'i diskutojmë. Dhe mendoj se duhet të flasim edhe me kolegët tanë amerikanë. Por kush do të japë urdhra për ndalimin e armiqësive?... Kush do të përcaktojë se ku dhe kush ka shkelur një marrëveshje të mundshme armëpushimi për 2000 kilometra?”.

Putin theksoi se është e dobishme për Ukrainën që të arrijë një armëpushim 30-ditor për shkak të faktit se të gjitha trupat e saj në rajonin e Kurskut janë të bllokuara. Megjithatë, ai tërhoqi vëmendjen për faktin se armëpushimi mund të shfrytëzohet për të marrë armë ose për të kryer mobilizim të detyruar.

“Situata në rajonin e Kurskut është plotësisht nën kontrollin e Rusisë. Federata Ruse po çliron një nga një të gjitha vendbanimet pranë Suxha. Militantët ukrainas janë tërësisht të rrethuar, ushtria ukrainase po përpiqet të reagojë në grupe të vogla, por është e pamundur”, tha Vladimir Putin, President i Rusisë.

  Putin falënderoi Trumpin për përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës. Ai tha se mund të telefonojë Trump për të diskutuar këtë çështje.  Forcat ruse kanë avancuar që nga mesi i vitit 2024 dhe kontrollojnë gati një të pestën e territorit të Ukrainës, tre vjet pas një lufte që Presidenti i SHBA Donald Trump ka thënë se do ta ndalojë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos