
Mojtaba Khamenei, djali i ish-udhëheqësit suprem të Iran, është emëruar lideri i ri suprem i vendit, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.
Emërimi vjen pas vrasjes së Ali Khamenei, i cili humbi jetën gjatë sulmeve të para të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael ndaj Iranit të shtunën, duke shkaktuar një përshkallëzim të fortë të tensioneve në rajon.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, është një klerik i njohur në vend, por deri më tani nuk ka mbajtur ndonjë post zyrtar qeveritar. Megjithatë, ai konsiderohet prej kohësh si një figurë me ndikim brenda establishmentit fetar dhe politik të Iranit.
Sipas sistemit politik të Iranit, lideri suprem është autoriteti më i lartë i shtetit dhe ka fjalën përfundimtare në të gjitha çështjet kryesore politike, ushtarake dhe fetare.
Vendimi për emërimin e liderit të ri është marrë nga Asambleja e Ekspertëve të Iranit, një organ i përbërë nga 88 anëtarë që ka kompetencën kushtetuese për të zgjedhur dhe mbikëqyrur udhëheqësin suprem.
Pas vdekjes së Ali Khameneit, autoritetet iraniane kishin formuar fillimisht një këshill të përkohshëm drejtues me tre persona për të administruar vendin deri në marrjen e vendimit për liderin e ri suprem. (A2 Televizion)