“Doja ta godisja Lavrovin me grusht”, ministri ukrainas zbulon prapaskenat e negociatave në Antalia

Nga A2 CNN
16 Janar 2024, 08:58 | Bota

Bisedat më të vështira janë ato ku të duket sikur dëshiron të shkosh dhe ta godasësh me grusht në fytyrë personin, por nuk mundesh.

Ky është rrëfimi i ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmitry Kuleba, referuar negociatave mes përfaqësuesve të lartë të Kievit dhe Moskës në Antalia, dy vite më parë, ku përballë kishte homologun e tij Sergej Lavrov.

Në një intervistë që dha për blogerët, gjatë së cilës foli për shumë gjëra, nga gatimi, hobi e deri te futbolli ukrainas, Kuleba ka treguar se në të paktën dy raste ai do të kishte dashur ta godiste me grusht ministrin e Jashtëm të Rusisë.

Këto detaje shefi i diplomacisë së Kievit i tregoi kur u pyet se cilat ishin negociatat më të vështira që i është dashur të bëjë në karrierën e tij.

Mund të them se më ka ndodhur dy-tri herë. Një rast ishte me Lavrov, në Antalia, në pranverën e vitit 2022”, rrëfeu ai. Në atë kohë, Kouleba i kishte cilësuar bisedimet në Turqi si "të vështira", kryesisht në lidhje me mundësinë e një armëpushimi dhe krijimin e korridoreve humanitare.

Sakaq, rrëfimet e tij u komentuan nga përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila tha se ato tregojnë që lidershipi ukrainas është krejtësisht i papërshtatshëm për këtë rol.

"Ky është problemi: njerëz të paarsimuar, agresivë dyshohet se u rekrutuan për të shërbyer si ministra, për të shkatërruar Ukrainën për paratë amerikane”, i tha Zakharova gazetës ruse Izvestia.

Sipas saj, Kuleba do të ishte më mirë të shkonte në një ring për "mundje pa pagesë", në vend që të vijojë të drejtojë Ministrinë e Jashtme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos