“Doktor Vdekja” dënohet me burg përjetë

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 14:13 | Bota

“Doktor Vdekja” dënohet me burg përjetë

Një gjykatë në qytetin Besançon, në lindje të Francës, ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-anestezistin Frédéric Péchier, i njohur nga prokuroria si “Doktor Vdekja”, pasi u shpall fajtor për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, nga të cilët 12 humbën jetën.

Sipas vendimit të gjykatës, Péchier ka kontaminuar qeset e infuzioneve me substanca të rrezikshme, kryesisht kalium, duke shkaktuar arrest kardiak ose hemorragji të rënda, përcjell A2 CNN. Viktimat e tij varionin nga një fëmijë katërvjeçar, i cili i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë për bajamet në vitin 2016, deri te një pacient 89-vjeçar.

Hetimet ndaj Péchier nisën tetë vite më parë, pasi ai u dyshua për helmime në dy klinika të Besançonit gjatë periudhës 2008–2017. Rasti i parë i njohur ishte ai i Sandra Simard, 36 vjeçe, e cila pësoi arrest kardiak gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në shtyllën kurrizore, por mbijetoi falë ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore. Analizat treguan se infuzioni i saj përmbante një dozë kaliumi 100 herë më të lartë se norma.

Gjatë procesit gjyqësor, që zgjati 15 javë, Péchier mohoi akuzat, duke deklaruar se kishte respektuar gjithmonë betimin e Hipokratit. Megjithatë, gjykata e shpalli fajtor dhe vendosi që ai të vuajë minimumi 22 vite burg. Ai ka të drejtë të apelojë vendimin brenda 10 ditëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos