“E zgjidha luftën në Gaza!” Trump sulmon Biden: Trashëgova një katastrofë, por Amerika është rikthyer

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2025, 07:06 | Bota

“E zgjidha luftën në Gaza!” Trump sulmon Biden:

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur politikat e tij ekonomike dhe ka fajësuar paraardhësin Joe Biden për gjendjen e vendit që, sipas tij, trashëgoi kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur nga Zyra Ovale për më pak se 20 minuta, presidenti deklaroi se trashëgoi një katastrofë, por se tani Amerika është rikthyer.

“Njëmbëdhjetë muaj më parë, trashëgova një rrëmujë dhe po e rregulloj. Ky inflacion i lartë ndodhi gjatë një administrate demokrate dhe ishte koha kur filluam të dëgjonim për herë të parë fjalën përballueshmëri”, tha Trump, teksa përmendi ish-presidentin Biden më shumë se gjashtë herë me emër gjatë gjithë fjalimit të shkurtër.

Trump u fokusua kryesisht te çështjet e brendshme, duke sulmuar demokratët dhe duke renditur ato që i quajti arritjet e administratës së tij në vetëm 11 muaj, nga kufiri më i sigurt në histori në rënie të çmimeve dhe pagave.

"Tani, nën udhëheqjen tonë, çmimet po ulen gjithnjë e më shpejt. Politikanët demokratë gjithashtu e rritën koston e ushqimeve, por ne po e zgjidhim edhe këtë. Po i rregulloj gjërat, do të kemi një bum ekonomik si kurrë më parë", theksoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Në politikën e jashtme, Trump pretendoi se ka “zgjidhur tetë luftëra” dhe ka sjellë paqe në Lindjen e Mesme, pa përmendur konfliktin në Ukrainë, apo situatën me Venezuelën.

"Kam zgjidhur tetë luftëra. E zgjidha luftën në Gaza, duke sjellë paqe në Lindjen e Mesme për herë të parë pas vitesh", tha ai.

Ai pranoi se ekonomia përballet me sfida, mes rritjes së papunësisë dhe inflacionit mbi objektivin e Rezervës Federale, por përsëriti se së shpejti do të ketë një drejtues të ri të bankës qendrore që mbështet norma të ulëta interesi.

Trump njoftoi gjithashtu një “dividend luftëtari” prej 1,776 dollarësh për ushtrinë, duke theksuar se tarifat kanë sjellë triliona dollarë investime dhe se “ky është vetëm fillimi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos