
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv me të cilin “fentanili i paligjshëm dhe kimikatet e tij bazë” klasifikohen si armë të shkatërrimit në masë, shkruan A2 CNN. Vendimi u shpall gjatë një ceremonie në Zyrën Ovale, ku Trump po nderonte anëtarë të forcave të armatosura amerikane për rolin e tyre në mbrojtjen e kufirit jugor të SHBA-së.
“Po ndërmarr edhe një hap tjetër për të mbrojtur amerikanët nga kjo murtajë vdekjeprurëse e fentanilit që po përmbyt vendin tonë. Asnjë bombë nuk bën atë që po bën kjo”, deklaroi Trump, duke e cilësuar urdhrin si historik. Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë efekti praktik do të ketë ky vendim, pasi një urdhër ekzekutiv nuk mund të ndryshojë ligjin federal amerikan.
Ligji aktual amerikan tashmë e konsideron krim përdorimin ose kërcënimin me armë të shkatërrimit në masë, duke përfshirë armët që lidhen me agjentë biologjikë apo toksina. Megjithatë, urdhri i Trumpit pretendon se “fentanili i paligjshëm është më afër një arme kimike sesa një narkotik” dhe udhëzon Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi të intensifikojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj trafikimit të kësaj substance.
Gjithashtu, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Thesarit Scott Bessent udhëzohen të ndërmarrin masa ndaj aseteve dhe institucioneve financiare të lidhura me prodhimin dhe shpërndarjen e fentanilit. Urdhri e paraqet këtë aktivitet si kërcënim për sigurinë kombëtare, duke argumentuar se kartelet dhe organizatat terroriste financojnë operacione të dhunshme përmes këtij trafiku.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vdekjet nga mbidoza në SHBA kanë shënuar rënien më të madhe në pesë vitet e fundit, edhe pse fentanili mbetet shkaku kryesor. (A2 Televizion)