Progres në garancitë për Kievin, Trump: Paqja është më afër se kurrë, ngërçi vetëm për territoret

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2025, 07:05 | Bota

Progres në garancitë për Kievin, Trump: Paqja është

Pas dy ditësh bisedimesh intensive në Berlin mes SHBA-së, Ukrainës dhe partnerëve evropianë, është shënuar progres i rëndësishëm drejt një armëpushimi në Ukrainë. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur, duke iu referuar burimeve amerikane, se rreth 90% e çështjeve mes Moskës dhe Kievit konsiderohen të zgjidhura, ndërsa shanset për ndaljen e luftimeve vlerësohen si reale.

"Donald Trump është shumë i kënaqur me punën e jashtëzakonshme të evropianëve. Jemi më afër se kurrë përfundimit të konfliktit dhe se Evropa do të luajë një rol të madh në sigurimin e sigurisë", deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se situata “nuk ka qenë kurrë kaq e favorshme”, duke shpresuar për një armëpushim para Krishtlindjeve. Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi procesin të vështirë, por produktiv, duke theksuar se progresi është bërë sidomos në garancitë e sigurisë. Megjithatë, çështja territoriale, veçanërisht Donbasi, mbetet e hapur dhe me pozicione të ndryshme.

"Disa çështje mbeten të vështira dhe qëndrimet mbi çështjen territoriale ndryshojnë. Ukraina është gjithashtu e gatshme të bëjë pjesën e saj, shtoi ai, duke hedhur poshtë edhe një herë idenë e lëshimit të Donbasit: "Kjo nuk është një kërkesë nga amerikanët, të cilët i shoh si partnerë strategjikë, por nga rusët përmes tyre".

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh optimist, duke thënë se “paqja është më afër se kurrë” dhe se Evropa do të ketë rol kyç në sigurinë pas konfliktit. Ai konfirmoi gjithashtu kontakte të fundit me Vladimir Putinin.

"Mendoj se ai dëshiron që lufta të përfundojë dhe se rusët duan të kthehen në një jetë më normale", tha presidenti amerikan.

Udhëheqësit evropianë ranë dakord të mbështesin një forcë shumëkombëshe të udhëhequr nga Evropa në Ukrainë dhe një mekanizëm ndërkombëtar për monitorimin e armëpushimit. Ata theksuan se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe se vendimet përfundimtare i takojnë popullit ukrainas, pasi të sigurohen garanci të forta sigurie. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos