
Nuk ndalen sulmet me dronë ukrainas mbi territorin rus. Gjatë natës mes së enjtes dhe të premtes, objektivi ishte Sevastopoli, në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Sipas guvernatorit lokal, Mikhail Razvozhayev, disa persona kanë mbetur të plagosur.
Moska është përgjigjur me një seri sulmesh ndaj Ukrainës. Në rajonin e Dnipropetrovskut, raketat ruse goditën më shumë se dhjetë herë gjatë natës, duke shkaktuar dy viktima. Sulme janë raportuar edhe në rajonin e Kievit. Në Bilohorodka u goditën magazinat e kompanisë Nova Poshta, ndërsa në Sviatopetrivske u dëmtua një impiant prodhimi.
Sipas autoriteteve lokale, Rusia po përdor taktikën e sulmeve të dyfishta. Rreth një orë pas sulmit të parë, ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin flakët, dy sulme të tjera goditën të njëjtën zone. Për fat të mirë, ekipet e emergjencës arritën të largohen në kohë.
Në Sumy, një tjetër sulm rus me bomba të drejtuara shkaktoi një viktimë dhe shtatë të plagosur. Ndërkohë, në planin diplomatik, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov mohon se Moska i ka dhënë Uashingtonit ndonjë ultimatum për përfshirjen amerikane në sulmet ukrainase.
Por sipas Washington Post, në Kremlin besohet se Shtetet e Bashkuara janë dobësuar nga përplasja me Iranin. Vlerësimi konfidencial i Kremlinit është bërë përpara vizitës së fshehtë në Moskë të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, e cila u zhvillua gjatë kësaj jave.
Kjo, sipas Washington Post, mund t’i japë Kremlinit mundësinë për të intensifikuar veprimet kundër interesave dhe aleatëve amerikanë në Evropë. (A2 Televizion)