
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Bergamos në Itali, ku një mësuese 57-vjeçare është plagosur rëndë me thikë nga një nxënës 13-vjeçar. Mediat italiane bëjnë të ditur se mësuesja e frëngjishtes u godit disa herë më thikë në fyt dhe në bark në korridorin e shkollës. Ajo u transportua me helikopter drejt spitalit dhe sipas mjekëve, nuk është në rrezik për jetën.
Autori i dyshuar, një nxënës i klasës së nëntë, është neutralizuar menjëherë pas ngjarjes. Ai mbante veshur rroba me motive kamuflazhi dhe një bluzë me mbishkrimin “hakmarrje”, ndërsa në çantë iu gjet edhe një pistoletë lodër.
Për ngjarjen ka reaguar edhe ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, i cili theksoi nevojën për masa më të ashpra kundër kriminalitetit të të rinjve dhe përdorimit të armëve të ftohta. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të edukimit dhe mbështetjes psikologjike në shkolla.
“Ajo që ndodhi në provincën e Bergamos është një ngjarje tronditëse serioze. Para së gjithash, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për mësuesen, familjen e saj dhe shkollën. Kjo ngjarje tregon nevojën për të miratuar shpejt rregulloret e reja dhe të rrepta të vendosura nga qeveria për të luftuar krimin e të rinjve, dhe në veçanti përhapjen e armëve të papërshtatshme midis të rinjve. Këto masa duhet të kombinohen me ato që kemi zbatuar tashmë në shkolla në lidhje me sjelljen dhe respektin ndaj arsimit, dhe të cilat do të zbatohen së shpejti, siç është ajo për ndihmën psikologjike. Ata që punojnë për të ardhmen e fëmijëve tanë nuk duhet të marrin asnjë rrezik ", tha ministri.
Nga ana tjetër, presidenti i shoqatës së drejtuesve të shkollave, Attilio Fratta, ngriti shqetësimin për rritjen e rasteve të dhunës në institucionet arsimore, duke e cilësuar situatën si një “emergjencë edukative jashtë kontrollit”.
Edhe kreu i Shoqatës Kombëtare të Drejtorëve të Shkollave (ANP), Antonello Giannelli, e cilësoi rastin si një sinjal alarmi për shoqërinë, duke kërkuar më shumë masa parandaluese dhe siguri për stafin dhe nxënësit.
Ndërkohë autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. (A2 Televizion)