Politologu Ermal Hasimja ka kritikuar nivelin intelektual të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke deklaruar se një pjesë e tyre nuk zotërojnë as konceptet bazë për çështjet për të cilat flasin.
I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Hasimja tha se, sipas perceptimit të tij, Parlamenti është edhe nën nivelin e shqiptarit mesatar.
Ai ironizoi njohuritë e disa deputetëve, duke thënë se nëse do të testoheshin me njohuritë e klasës së nëntë apo të vitit të parë të gjimnazit, mund të rezultonin ngelës.
“Mund të jetë një rast unikal ku unë kam dyshimin se Parlamenti shqiptar është nën nivelin mesatar të shqiptarit. Nën nivelin intelektual mesatar të shqiptarit. Ky është perceptimi im, se s’mund të marr përsipër ta mbroj në baza shkencore, por realisht shohim shpesh deputetë, të cilët po t’i çosh në klasë të 9-të, apo në vit të parë gjimnaz, mund të rezultojnë ngelës. S’kanë konceptet bazë të gjërave që marrin përsipër të flasin”, u shpreh Hasimja.
(A2 Televizion)