
Çmimet e biletave të avionëve pritet të rriten në muajt e ardhshëm për shkak të asaj që ekspertët e quajnë si “ndërprerja më e madhe në historinë e tregut të energjisë”, e lidhur me problemet në furnizimin me naftë dhe gaz përmes ngushticës së Hormuzit.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Thesarit në Parlamentin britanik, ekspertja e tregjeve të energjisë Amrita Sen, themeluese dhe drejtoreshë e analizave në kompaninë Energy Aspects, tha se situata aktuale përbën një tronditje historike për tregun global të energjisë.
Sipas saj, megjithëse rritja e çmimeve nuk është ende aq e rëndë sa gjatë pushtimit të Ukraine nga Rusia në vitin 2022, sektori më i goditur aktualisht është karburanti i avionëve, shkruan A2 CNN.
“Është vërtet çmenduri ajo që po ndodh në tregun e karburantit për avionë,” tha Sen. Ajo shpjegoi se një pjesë e madhe e prodhimit të këtij karburanti bëhet në Lindjen e Mesme dhe në Azi, dhe për momentin është shumë e vështirë të gjenden burime alternative për të përmbushur kërkesën.
Rreziku për transportin detar në ngushticën e Hormuzit ka bërë që nafta bruto të mos kalojë normalisht, gjë që ndikon drejtpërdrejt në prodhimin e karburantit për avionë.
Si pasojë, ekspertët presin rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave, të cilat mund të zgjasin të paktën për disa muaj. (A2 Televizion)