“Eliminoni Kurdistanin”, Erdogan i pakënaqur me aleatët e NATO

Nga Erjon Dervishi
29 Qershor 2026, 19:34 | Bota

Turqia pret që samiti i NATO-s që do të organizohet në Ankara muajin e ardhshëm të theksojë unitetin brenda aleancës. Duke folur para parlamentarëve nga anëtarët e NATO-s në Stamboll, Erdogan tha se Ankaraja pret më shumë nga aleatët në mbështetje të përpjekjeve të saj për t'i dhënë fund kryengritjes më shumë se 40-vjeçare të Partisë militante të Punëtorëve të Kurdistanit dhe në aspektin e përfshirjes së Turqisë në planet evropiane të mbrojtjes.

"Pritja jonë kryesore nga samiti (i NATO-s) është arritja e rezultateve që do të forcojnë solidaritetin dhe unitetin e aleancës, duke marrë parasysh ndjeshmëritë e sigurisë kombëtare të aleatëve. Si udhëheqës i një vendi që ka luftuar me sukses terrorizmin për shumë vite dhe tani po punon për ta zhdukur plotësisht atë, do të doja gjithashtu të deklaroja se kemi pritshmëri të larta nga Aleanca në këtë fushë. Nëse duam të luftojmë sfidat me të cilat përballemi, duhet ta ndajmë barrën në mënyrë të drejtë dhe të barabartë midis aleatëve, duke hequr pengesat para tregtisë në industrinë e mbrojtjes. Zbatimi i vendimeve që kemi marrë në samitet e mëparshme mbi të dyja këto tema kryesore është, pra, shumë, shumë i rëndësishëm", tha Erdogan.

"Është gjithashtu një fakt se kontributet e domosdoshme që Turqia jep për sigurinë evropiane nganjëherë anashkalohen. Si një nga vendet që kanë një rol në zhvillimin e shtyllës evropiane të Aleancës, ne kemi vullnetin për të marrë pjesë në të gjitha nismat e mbrojtjes dhe sigurisë në kontinent. Presim nga ju parlamentarë interes dhe mbështetje të ngushtë në lidhje me përfshirjen e Turqisë në nismat e mbrojtjes dhe sigurisë të shpallura nga Bashkimi Evropian. Përjashtimi i aftësive të Turqisë në fushën e mbrojtjes për shkak të interesave të ngushta politike nuk i sjell dobi askujt", vijoi ai.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos