
Xhamajka po përballet me pasojat katastrofike të uraganit Melissa, stuhia më e fuqishme që ka goditur ishullin në historinë moderne. Me erëra që arritën deri në 300 kilometra në orë dhe reshje shiu të rrëmbyeshme, uragani ka shkatërruar mijëra shtëpi, infrastrukturën jetike dhe ka lënë pa energji afro 75 për qind të vendit.
Pamjet ajrore tregojnë qytete të rrafshuara, ndërtesa të rrënuara dhe zona të tëra të përmbytura, veçanërisht në pjesën jugperëndimore të Xhamajkës. Kryeministri Andrew Holness deklaroi se në qytetin Black River 90 për qind e çative janë shkulur dhe shumë spitale, shkolla e stacione policie janë zhdukur nga goditjet e stuhisë, përcjell A2 CNN.
Të paktën pesë persona janë konfirmuar të vdekur në rajonin e St. Elizabeth, ndërsa mijëra të tjerë janë strehuar në qendra emergjente. Rreth 25 mijë njerëz ndodhen ende në strehimore, ndërsa qeveria po përpiqet të rikthejë energjinë dhe furnizimet bazë me ushqim e ujë.

Dëshmitarët përshkruajnë skena të tmerrshme. “Ishte si fundi i botës. Çatia ime u ngrit për sekonda”, tha Kayan Davis, një nënë e tre fëmijëve që mbeti pa shtëpi. Një tjetër banor, Sylvester Guthrie, rrëfeu se i ka mbetur vetëm biçikleta, pasi shtëpia i është shkatërruar plotësisht.
Pas shkatërrimit në Xhamajkë, Melissa goditi edhe Kubën e Haitin, duke lënë të paktën 25 viktima të tjera dhe dëme masive. Autoritetet ndërkombëtare po dërgojnë ndihma urgjente, ndërsa stuhia po i afrohet Bermudës me fuqi ende të konsiderueshme.
Ekspertët e meteorologjisë e kanë cilësuar Melissën si një nga uraganet më të fuqishme në historinë e Atlantikut. (A2 Televizion)
