Komisioni Evropian pritet t'u bëjë thirrje zyrtarisht shteteve anëtare që të ulin konsumin e ujit me të paktën 10% deri në vitin 2030, sipas një plani që do të paraqitet muajin e ardhshëm.
Financial Times shkruan se kjo është hera e parë që Komisioni ka vendosur një objektiv për efikasitetin e ujit, duke sinjalizuar shqetësimin e tij të fortë në lidhje me shterimin e shpejtë të rezervave ujore nëntokësore në Evropë.
Objektivi prej 10% nuk do të jetë detyrues, por Komisioni i inkurajon shtetet anëtare të vendosin objektivat e tyre kombëtare dhe të investojnë në një mbledhje më të mirë të të dhënave, e cila aktualisht mungon kryesisht në sektorin e ujit. Disa vende të prekura veçanërisht nga thatësira, si Spanja, kanë vendosur tashmë kufijtë e tyre të konsumit dhe masat e efikasitetit.
“Duhet të mendojmë se si ta përdorim ujin në mënyrë më efikase”, tha për Financial Times, Komisionerja Evropiane e Mjedisit, Jessica Rosvall.
"Edhe kur bëjmë dush, duhet të mendojmë për këtë”, nënvizoi ajo.
Presioni mbi sistemin e ujit të Evropës është tani i dukshëm. Haris Sachinis, Drejtor Ekzekutiv i EYDAP, ka paralajmëruar vazhdimisht se Athina rrezikon të mbetet pa ujë brenda dy viteve të ardhshme nëse kushtet aktuale hidrologjike vazhdojnë.
Ndërkohë në Qipro, viti 2025 shënon periudhën e tretë radhazi të thatësirës dhe vitin e tetë më të keq për rezervat e ujit në 50 vitet e fundit, sipas Ministres së Bujqësisë Maria Panayiotou.
Në shumë zona të Evropës Jugore, si në Itali dhe Spanjë, kufizimet e ujit gjatë verës, përfshirë ndalimin e mbushjes së pishinave, janë bërë praktikë e zakonshme.
Sakaq, plani i Komisionit thekson nevojën për investime në tuba, pompa dhe impiante trajtimi, pasi në shumë vende shkalla e humbjeve për shkak të rrjedhjeve është e madhe, ku një shembull tipik është Bullgaria që humb 60% të ujit nga rrjeti çdo vit.
Komisioni vlerëson se nevojiten 23 miliardë euro euro në vit për financim të përshtatshëm të infrastrukturës ujore, ndërsa Banka Evropiane e Investimeve planifikon të vërë në dispozicion një program kredie dhe garancie prej 15 miliardë eurosh për periudhën 2025-2027.
Në të njëjtën kohë, vihet re se vetëm 2.4% e ujit riciklohet çdo vit në BE, me planin që synon rritjen e kësaj përqindjeje përmes promovimit të teknologjive të ripërdorimit.
Plani i ri vjen në një kohë kur tensionet rreth të drejtave të ujit janë në rritje. Në vende si Franca dhe Spanja , konfrontimet midis fermerëve dhe organizatave mjedisore mbi ndërtimin e digave kanë shkaktuar reagime shoqërore vitet e fundit.
Komisioni paralajmëron se rritja e kërkesës për burime të kufizuara ujore mund të çojë në një "rrezik potencial konfliktesh brenda dhe midis shteteve anëtare". "Kur flasim për ujin, ai nuk njeh kufij", thekson plani.
Teksti përfundimtar i draftit pritet të dorëzohet zyrtarisht muajin e ardhshëm dhe mund të pësojë ndryshime para publikimit. (A2 Televizion)