"Përpjekja diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë është e nevojshme, por mbeten dyshime rreth vullnetit të vërtetë të Presidentit rus Vladimir Putin për të zgjidhur konfliktin", tha Presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë me NBC Neës pas samitit të Shtëpisë së Bardhë.
"Kur shoh situatën dhe faktet, nuk më duket se Presidenti Putin është shumë i etur për paqe tani. Por ndoshta jam shumë pesimist", tha presidenti francez.
Macron pranoi se optimizmi i presidentit Trump duhet të merret seriozisht.
“Nëse ai beson se mund të arrijë një marrëveshje, ky është një lajm i shkëlqyer dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur një marrëveshje ", tha presidenti francez.
Më pas përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Elize shtoi se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë deri sa të arrihet paqja.
“Në Uashington, së bashku me Presidentin Zelensky dhe partnerët tanë, i ritheksuam Presidentit Trump vendosmërinë tonë për të vazhduar të bashkojmë përpjekjet tona për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme që mbron interesat e Ukrainës dhe sigurinë e Evropës. Një paqe e tillë do të kërkojë domosdoshmërisht ofrimin e garancive të forta të sigurisë për Ukrainën, për të cilat kemi rënë dakord të punojmë shumë konkretisht me Shtetet e Bashkuara. Është gjithashtu e qartë për ne se presioni mbi Rusinë duhet të vazhdojë derisa të arrihet një paqe e tillë”, shkroi Presidenti francez Emmanuel Macron.
Edhe presidentja e KE, Ursula Von Der Leyen kishte të njëjtin qëndrim për takimin në Shtëpinë e Bardhë, teksa shkroi në X se Rusia duhet të kthejë në shtëpi fëmijët e rrëmbyer në Ukrainë.
(A2 Televizion)