Brenda pak ditësh, lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ka marrë një tjetër drejtim, tashmë që diplomacia ka hyrë në fazën e saj më të zjarrtë.
Takimi intensiv në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit Trump, liderëve të BE, presidentit Zelensky dhe kreut të NATO, duket se ka hapur dhe në dritare të re.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ndërpreu për disa minuta bisedimet me të ftuarit e tij, për të telefonuar homologun rus, dhe minuta më vonë zbuloi detaje nga kjo bisedë.
"E telefonova Putin dhe fillova të organizoja një takim, në një vend që do të përcaktohet më vonë, midis tij dhe Zelenskyt. Pas këtij takimi, do të kemi një takim trepalësh me mua dhe dy presidentët", shkroi Donald Trump në Truth.
Të njëjtën gjë konfirmoi dhe kancelari gjerman Merz, i cili u shpreh se takimi dypalësh Zelensky-Putin do të mbahet brenda dy javësh.
Merz i përshkroi bisedimet në Shtëpinë e Bardhë si shumë intensive dhe përshëndeti garancitë e sigurisë të Donald Trump për Ukrainën, teksa shtoi përsëriti se lëshimet territoriale nuk mund t'i imponohen Kievit.
Pas takimit, Financial Times raporton se Ukraina ka hedhur poshtë propozimin për të ngrirë vijën aktuale të frontit dhe nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që përfshin lëshime territoriale ndaj Rusisë.
Kievi këmbëngul në armëpushimin si hapin e parë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje. (A2 Televizion)