Vendimi i Gjykatës Supreme të SHBA-së që lë në fuqi të drejtën e shtetësisë automatike për fëmijët e lindur në territorin amerikan është një garanci kushtetuese dhe nuk mund të ndryshohet me një urdhër ekzekutiv të presidentit. Kështu u shpreh avokati Ardinez Domgjoni në Dita Jonë në A2 CNN, duke komentuar vendimin pas përpjekjes së presidentit Donald Trump për të kufizuar të drejtën e shtetësisë për fëmijët e emigrantëve.
“Në ditën e parë të mandatit të dytë të presidentit Trump, ai firmosi një urdhër ekzekutiv ku kishte qëllimin që të ndalonte nënshtetësinë për fëmijët e prindërve të paligjshëm në Amerikë, ose fëmijët e njerëzve rezidentëve që janë të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara. Po brenda pak ditëve kishte organizata pro të drejtave tëemigrantëve dhe po ashtu 20 shtete të Amerikës që e kundërshtuan këtë urdhër ekzekutiv dhe urdhri ekzekutiv nuk hyri në fuqi dhe u ndalua menjëherë”.
Avokati theksoi se Gjykata Supreme u mbështet në Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-së, i cili përcakton se çdo person i lindur ose i natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohet juridiksionit të tyre është qytetar amerikan.
“Gjykata sipas amendamentit 14 të kushtetutës që thotë se njerëzit që lindin në Amerikë ose janë të natyrializuar në Amerikë dhe janë nën ligjet e këtij vendi, janë qytetarë dhe nën shtetas të Amerikës dhe të Shtetit në Amerikë ku ata banojnë”, tha avokati në Dita Jonë në A2 CNN.
Domgjoni shtoi se, edhe pse Donald Trump ka deklaruar se do të kërkojë zgjidhje përmes Kongresit, ndryshimi i kësaj të drejte do të kërkonte amendimin e Kushtetutës, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
“Vendimi i gjykatës do të thotë se kjo e drejtë do qëndrojë për shekuj mendoj unë, sepse gjykata në vendimin e saj tha se kjo e drejtë garantohet nga Kushtetuta. Për të ndryshuar këtë duhet të ndryshojë kushtetutën, gjë që nuk mund ndodhë sepse duhen 2/3at e Kongresit Amerikan që përfshin dhe republikanët, por sidomos demokratët që janë kundër këtyre kësaj lëvizje për ta ndryshuar kushtetutën. Në realitetin politik ku jetojmë ne në Amerikë është e pamundur, sepse edhe vetë Partia Republikane në senat dhe në shtëpinë e përfaqësuesve janë të ndarë në këtë çështje. Pra dhe demokratët janë të gjithë të bashkuar. Pra nuk ka mundësi të ndryshohet kushtetuta”.
Lidhur me reagimin e opinionit publik, Domgjoni tha se sondazhet tregojnë se rreth 55% e amerikanëve mbështesin vendimin e Gjykatës Supreme dhe të drejtën e shtetësisë automatike, megjithëse kjo mbështetje ka rënë krahasuar me vitet e mëparshme.
(A2 Televizion)