“Flakët” e Hormuzit djegin naftën në bursa, Irani sulmon bazën italiane dhe anijen greke, SHBA: 11.3 mld faturë

Nga Xhevahir Qardaku
12 Mars 2026, 13:03 | Bota

Lufta ka prekur ditën e 13, por Amerika zbulon faturën për javën e parë të përplasjes me Iranin: më shumë se 11.3 miliardë dollarë. Fatura e majme u është dorëzuar ligjvënësve të Kongresit nga Pentagoni, sipas New York Times, që nxjerr në pah ritmin me të cilin konflikti po konsumon armë dhe burime.

Gazeta, duke cituar burime anonime që kanë njohuri lidhur me takimin me dyer të mbyllura, raporton se anëtarëve të Kongresit iu tha se shifra nuk përfshin shumë nga kostot që lidhen me përgatitjet ushtarake para sulmeve, duke sugjeruar se totali për javën e parë mund të rritet ndjeshëm. Zyrtarët e mbrojtjes e kishin informuar tashmë Kongresin se afërsisht 5.6 miliardë dollarë municione u përdorën vetëm në dy ditët e para të luftimeve, sipas mediave amerikane, një shkallë shumë më e lartë konsumi sesa vlerësimet e publikuara më parë.

Irani ka shtuar sulmet hakmarrëse ndaj furnizimeve me energji duke bombarduar dy anije cisterna të huaja në ujërat irakiane, një prej tyre ishte në pronësi greke. Agjencia detare e Mbretërisë së Bashkuar tha se një anije tjetër në Gjirin Persik u godit, e gjashta në dy ditët e fundit. Çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi brenda natës.

Kjo rritje ndodhi pavarësisht se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ra dakord të lironte një rekord prej 400 milionë fuçish naftë nga rezervat në tregun global. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur pretendimin e tij se SHBA-të e kanë fituar luftën, edhe pse konflikti po zgjerohet.

“Ne fituam. Më lejoni t'ju them, ne fituam. E dini, nuk ju pëlqen kurrë të thoni shumë herët që fituat. Por e morëm fitoren tonë që në orët e para. Gjatë 11 ditëve të fundit, ushtria jonë praktikisht e ka shkatërruar Iranin. Është një vend i fortë. Forca e tyre ajrore është zhdukur plotësisht. Ata nuk kanë më radarë. Ata nuk kanë pajisje kundërajrore. Ata nuk kanë asgjë. Raketat e tyre janë rrëzuar me 90%. Dronët e tyre janë rrëzuar me 85%. Ne po i hedhim në erë fabrikat ku prodhohen”, deklaroi Trump.

Ndërkohë, lufta prek dhe Italinë. Ministria e mbrojtjes në Romë konfirmoi se Irani goditi me raketë bazën e saj në qytetin e Erbilit, në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos