Pas diskutimeve maratonë, miratohet në parim me 80 vota pro dhe 25 kundër buxheti 2027

Nga Marjo Brakaj
19 Nëntor 2026, 08:12 | Politikë

Pas diskutimeve maratonë, miratohet në parim me 80 vota pro dhe 25

Pas diskutimeve maratonë, seanca plenare miratoi në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” me 80 vota pro, 0 abstenim dhe 25 kundër, si dhe pesë projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Buxheti i vitit 2027 u prezantua nga Kryeministri Edi Rama, i cili paraqiti pikat kryesore të këtij projektbuxheti, të cilin e quajti buxhet historik, pasi për herë të parë shifra arrin tavanin e 10 miliardë eurove.

Rama nënvizoi se Projektbuxheti 2027 ul kostot e jetesës përmes lehtësimit të barrës fiskale për shtresën e mesme dhe rrit mbështetjen për pensionistët. Kryeministri z. Edi Rama theksoi se Buxheti 2027 nuk është thjesht një rekord numerik, por një instrument që synon t'u sjellë përfitim konkret familjeve shqiptare. "Ky buxhet është i rëndësishëm edhe për faktin që kjo shumicë, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë me këtë buxhet, ul drejtpërdrejt atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vijuar të rrisë mbështetjen për pensionistët. Nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meriton të ndjejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, padiskutim është kategoria e pensionistëve. Nga janari dyfishojmë rritjen e vitit që lëmë pas dhe do t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim krahasuar me vitin e parë. Janë 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët."- u shpreh z. Rama.

Kryeministri u shpreh më tej se ky buxhet sjell një model rritjeje që nuk matet vetëm me shifra, por me ndikimin real te qytetarët, duke u mbështetur në një bilanc ekonomik të fortë; ekonomi e trefishuar, rritje prej 4 për qind, papunësi nën 10 për qind, pagë mesatare 967 euro dhe një borxh publik në nivelin më të ulët.

Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij prezantoi shkurtimisht pikat kryesore të buxhetit për vitin 2027, ku nënvizoi se mbështetja financiare është rritur në të gjithë sektorët. "Më shumë fonde për mbrojtjen sociale, më shumë fonde për investime në arsim dhe shëndetësi, më shumë mbështetje për bujqësinë por dhe për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit."-u shpreh z. Malaj.

Më tej, Ministri u shpreh se borxhi publik është ulur ndërsa garantoi qëndrueshmëri të parametrave kryesorë ekonomikë dhe fiskalë të vendit. "Përmes këtij projektbuxheti kemi përcaktuar si do shpërndahen fondet publike, cilat nevoja do të kenë përparësi dhe mbi të gjitha çfarë Shqipërie duam të ndërtojmë. Ky projektbuxhet qëndron mbi tre shtylla të forta: Mirëqenia sociale dhe mbrojtja e qytetarëve, stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme dhe shtylla e tretë ka të bëjë me investimet, reformat dhe proceset integruese të Bashkimi Evropian. Më shumë mirëqenie, më shumë mundësi për sipërmarrjen, më shumë vende pune, shërbime publike më cilësore dhe siguri më të madhe sociale për qytetarët."-u shpreh z. Malaj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, në fjalën e tij u shpreh se me buxhetin e vitit 2027 familjet shqiptare do të paguajnë më pak për ushqimet bazë, do të mbështeten studentët, çiftet e reja si dhe mbështetje për çdo familje që ka fëmijë me aftësi të kufizuara. "Me këtë buxhet një profesionist i punësuar në privat, me pagë nën 3 milionë lekë të vjetra do paguajë më pak taksa dhe do çojë më shumë para në shtëpi. Ai që fiton më shumë paguan më shumë. Me këtë buxhet një çift i ri ka më shumë mundësi strehimi. 10 mijë apartamente mundësohen përmes këtij buxheti dhe ligjit për strehimet sociale. Me këtë buxhet prindi merr një mbështetje mujore për fëmijën me aftësi të kufizuar. Një familje e re me këtë buxhet merr për pesë vite rresh mbështetje për beben e porsalindur. Për fëmijën e parë 50 mijë lekë, për të dytin 70 mijë lekë dhe për fëmijën e tretë 100 mijë lekë. Ky buxhet mbështet studentët që vijnë nga familje në nevojë dhe ekselentë. Ky buxhet i mundëson çdo drejtuesi mjeti që t'i mbeten në xhep 1422 euro me heqjen e taksës së qarkullimit.”-u shpreh z. Balla.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Sali Berisha, u shpreh se me paketën e re fiskale qeveria do të rëndojë më tej qytetarët përmes rritjes së çmimeve dhe taksave. “10 miliardë vjedhje me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve. A jetoni në Shqipëri apo jo? A e dini ju se Eurostat deklaroi dje se për shqiptarët, të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar? A e dini o qytetarë pse ka ndodhur kjo? Sepse janë pjestuar prodhimi i përgjithshëm për frymë me gjithsej 2 milion e 200 mijë shqiptarë. Por po t’i krahasosh me çmimet, shqiptarët janë më të varfrit në Evropë. Në qoftë se maqedonasit blejnë me çmime që janë 60 për qind e çmimeve evropiane, shqiptarët blejnë me çmime që janë 110 për qind të çmimeve evropiane."-u shpreh z. Berisha.

Kryetari i Grupit Parlamentar të "Aleancës për Ndryshim", z. Fatmir Mediu, u shpreh se qeveria pretendon për rritje ekonomike por me ritmet aktuale duhen 30 vite për t'iu afruar nivelit europian. "Një ekonomi nuk është e suksesshme vetëm sepse rriten të ardhurat e shtetit, por është e suksesshme kur rriten të ardhurat reale të familjeve shqiptare, kur krijohen vende pune, kur të rinjtë blejnë shtëpi, kur ka siguri juridike dhe nuk zëvendësohet me pazar korruptiv politik. Ka ekonomi që bazohet në konkurrencë e ligj dhe jo klientelizëm. Shteti nuk mundet të pasurohet duke gabitur qytetarët me taksa të larta dhe duke kryer afera korruptive. Për vitin 2027 janë parashikuar 10 miliardë lekë pagesa për kontrata koncesionare, PPP. Kjo shumë është dy herë më e madhe se fondi prej 4 miliardë lekësh i parashikuar për indeksimin e pensioneve. Paguhen projekte që nuk kanë treguar asnjë eficencë. Japin para dhe s'dimë se ku shkojnë. Një vend ku rinia dhe intelektualët largohen, nuk ka të ardhme e jo më siguri."-u shpreh z. Mediu.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, z. Tedi Blushi, u shpreh se për qytetarët kostot janë tepër të larta. "Kostot për shqiptarët janë të papërballueshme. Shqipëria po zbrazet dhe po thahet dhe qytetarët janë kundër qeverisë."-u shpreh z. Blushi.

Pas diskutimeve maratonë, seanca plenare miratoi në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027” me 80 vota pro, 0 abstenim dhe 25 kundër, si dhe pesë projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Seanca plenare miratoi gjithashtu Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar” i cili u prezantua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me 79 vota pro, 0 abstenim dhe 4 kundër si dhe Projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë” me 80 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos