
Zjarret masive vijojnë të përbëjnë një kërcënim serioz në disa zona të Evropës, ndërsa Franca dhe Spanja përballen me temperatura ekstreme dhe kushte të favorshme për përhapjen e flakëve.
Në Francë, autoritetet kanë paralajmëruar për një valë të nxehti “intensive”, e cila pritet të arrijë kulmin gjatë kësaj jave. Temperaturat e larta, mungesa e reshjeve dhe thatësira kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve, veçanërisht në zonat tashmë të prekura.
Në rajonin jugperëndimor të Girondës, zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa zjarrfikësit dhe forcat ushtarake po punojnë për të vënë nën kontroll flakët. Në disa zona të prekura nga ndotja e ajrit, autoritetet kanë shpërndarë maska për banorët.
Edhe Spanja po përballet me vatra të mëdha zjarri. Autoritetet bëjnë me dije se situata në zonat pranë Madridit po përmirësohet gradualisht, por mbi 63 mijë persona janë evakuuar nga banesat e tyre si pasojë e rrezikut.
Në Spanjën lindore, përveç zjarreve, një kërcënim shtesë vjen nga municionet e mbetura nga Lufta Civile, të cilat mund të paraqesin rrezik gjatë ndërhyrjeve për shuarjen e flakëve.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve do të vazhdojnë të krijojnë kushte të vështira për menaxhimin e zjarreve në ditët në vijim. (A2 Televizion)