
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump.
Në një postim në Telegram, Zelensky bëri me dije se takimi ishte pozitiv dhe se bisedimet u përqendruan te forcimi i mbrojtjes së Ukrainës, veçanërisht përmes sistemeve kundërajrore dhe kundërraketore.
“Presidenti dhe unë diskutuam për licencat për prodhimin e raketave kapëse Patriot dhe disa ide të tjera që mund të ndihmojnë”, deklaroi Zelensky.
Ai shtoi se komunikimet mes palëve do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa falënderoi Shtetet e Bashkuara për atë që e cilësoi si “mbështetje të palëkundur” ndaj Ukrainës.
Takimi mes dy liderëve vjen në një kohë kur Kievi vijon të kërkojë forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore përballë sulmeve ruse. (A2 Televizion)