Fundi i epokës Orban? Zgjedhjet në Hungari, referendum për të ardhmen e vendit

Nga Rosalba Bejdo
26 Mars 2026, 23:36 | Bota

Në rrugët e Budapestit, fushata elektorale nuk është thjesht politike, është një betejë narrative. Postera gjigantë paraqesin liderin e opozitës, Peter Magyar, përkrah presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, me një mesazh të qartë: “Ata janë rreziku”. Në anën tjetër, partia në pushtet, Fidesz, përgjigjet me sloganin: “Zgjedhja e sigurt”.

Mesazhi është i thjeshtë, por i fortë: zgjedhjet e 12 prillit nuk janë vetëm për pushtet, por për drejtimin që do të marrë Hungaria. Pas 16 vitesh në pushtet, Victor Orban, kryeministri më jetëgjatë i Bashkimit Europian, përballet me sfidën më serioze të karrierës së tij politike. Sipas sondazheve, për herë të parë, ai mund të humbasë.

Analistët thonë se beteja është më e hapur se kurrë. Robert Laszlo deklaron: “Që nga vera e kaluar, balanca e forcave ka mbetur e ngrirë. Orban është bërë shumë aktiv, ka arritur të mbajë të bashkuar bazën e tij elektorale, por nuk ka arritur të tërheqë votues të rinj. Dhe sot është shumë e vështirë të imagjinohet se çfarë tjetër mund të bëjë për të zgjeruar mbështetjen.”

Nga një lider i ri liberal në vitet ’90, në një figurë dominuese të politikës europiane, Orban ka ndërtuar një sistem që ai vetë e quan “demokraci joliberale”. Ai refuzon multikulturalizmin, kundërshton emigracionin dhe pozicionohet si mbrojtës i vlerave tradicionale përballë liberalizmit perëndimor.

Por kjo rrugë e ka vendosur shpesh në konflikt me Brukselin, për median, për të drejtat dhe për politikat ndaj Ukrainës. Në samitin e fundit të BE-së, Orban ishte i prerë: “Zelensky duhet ta kuptojë se kjo nuk është lojë. Kjo është çështje ekzistenciale për hungarezët. Hungaria nuk do të mbështesë asnjë vendim pro-Ukrainës derisa të zgjidhet çështja e naftës.”

Por sfida më e madhe për Orbán nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Peter Magyar, një ish-aleat i tij, ka tronditur skenën politike me krijimin e partisë Tisza në vitin 2024. Në pak kohë, ai është kthyer në favoritin e sondazheve.

45-vjeçari ka fituar mbështetje të madhe tek të rinjtë dhe votuesit urbanë, por ka depërtuar edhe në zonat rurale, bastionet tradicionale të Orbán. Rritja e tij lidhet edhe me pakënaqësinë ekonomike: tre vite stagnim, inflacion i lartë dhe perceptimi për korrupsion dhe pasurim të elitave pranë qeverisë.

Ndërkohë, lidhjet e Orbán me Rusinë dhe Vladimir Putin mbeten një pikë e ndjeshme. Ai ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Kremlinin, edhe pas pushtimit të Ukrainës, duke u bërë një figurë përçarëse në Europë.

Analistët paralajmërojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve ka rëndësi edhe përtej Hungarisë. “Nëse Fidesz dëshiron të fitojë, do t’i duhet diçka e papritur për të ndryshuar humorin publik. Sepse në të kundërt, është shumë e vështirë të shihet një përmbysje. Dhe duhet thënë se është edhe në interesin e Vladimir Putin që Orbán të qëndrojë në pushtet”, shprehet Laszlo.

Por loja nuk është vetëm hungareze, është europiane. Në Budapest, liderë të së djathtës ekstreme nga e gjithë Europa u mblodhën në një samit të ashtuquajtur “Patriotët”. Mes tyre, edhe Marine Le Pen, e cila e lidh drejtpërdrejt këtë moment me një ndryshim më të madh në kontinent.

Marine Le Pen deklaron: “Më 12 prill, ju do të jepni një mesazh të ri force, vendosmërie dhe shprese për teknokratët e lodhur në Bruksel. Ky mesazh do të dëgjohet nga Parisi në Budapest dhe në të gjitha kryeqytetet europiane.”

Megjithatë, edhe nëse Orban humbet, ndikimi i tij nuk zhduket menjëherë.

Richard Demeny shprehet: “Do të ishte një humbje e madhe simbolike për ta, por fokusi më i madh është zgjedhja franceze. Ajo mund të jetë pika e kthesës në Europë. Ndërkohë, Orbán ka investuar shumë për t’u ndërtuar si një nga liderët e së djathtës ekstreme dhe mund të vazhdojë të ketë ndikim.”

Po çfarë ndryshon nëse fiton opozita?

Magyar premton një kurs më konstruktiv me Bashkimin Europian, pa ndryshime drastike në çdo politikë.

“Nuk pres një ndryshim 180 gradë në marrëdhëniet me BE-në, por një qasje më bashkëpunuese. Ai pritet të përmbushë kushtet për fondet europiane, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e prokurimeve”, thotë Demeny.

Vetë Magyar ka qenë i drejtpërdrejtë në përballjen me Orbán në Parlamentin Europian:
“Zoti Kryeministër, për 14 vite ju keni drejtuar vendin me pushtet të pakufizuar. Kishit çdo mundësi ta bënit Hungarinë një vend të premtimeve të mbajtura. Hungarezët kanë zgjedhur Europën dhe Perëndimin, dhe do ta zgjidhnin sërish sot. Ne jemi pjesë e këtij komuniteti, pavarësisht fantazive për neutralitet ekonomik”, thotë Peter Magyar.

Programi i tij përfshin: luftë kundër korrupsionit, pavarësi të medias dhe drejtësisë, transparencë në tendera, si dhe kufizim mandatesh për kryeministrin. Një tjetër prioritet është zhbllokimi i miliarda eurove nga BE, fondet e ngrira për shkak të shqetësimeve mbi standardet demokratike.

“Një nga përfitimet më të mëdha për Hungarinë janë rreth 10 miliardë euro fonde bujqësore. Kjo është arsyeja pse Magyar synon të rivitalizojë bashkëpunimin rajonal dhe të sigurojë sa më shumë financime”, thotë Demeny.

Ndërsa vendi përgatitet për votim, me një pjesëmarrje që mund të kalojë 80%, një gjë është e qartë: këto zgjedhje nuk janë thjesht për një qeveri të re. Janë një referendum për të ardhmen e Hungarisë, mes një modeli që sfidon Brukselin dhe një alternative që kërkon rikthimin në zemër të Europës.

Pas më shumë se një dekade dominimi, sistemi i ndërtuar nga Viktor Orbán po përballet me testin më të madh. Pyetja tani nuk është vetëm nëse ai do të fitojë, por nëse Hungaria është gati për ndryshim.

Më 12 prill, përgjigjja mund të riformësojë jo vetëm një vend… por gjithë balancën politike në Europë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos