Gjithnjë e më shumë të rinj turq mësojnë gjermanisht

Nga A2 CNN
15 Shtator 2025, 09:27 | Bota

Gjithnjë e më shumë të rinj turq mësojnë

Gjermania është partnerja më e rëndësishme tregtare e Turqisë, mbi tre milionë njerëz me prejardhje turke jetojnë në Gjermani, në vend ka shkolla dhe universitete gjermanishtfolëse - të gjitha këto lidhje të ngushta me Gjermaninë e kanë bërë prej kohësh gjuhën gjermane popullore në Turqi. E ky popullaritet vazhdon të rritet dita-ditës. Trendi reflektohet mbi të gjitha në preferencat gjuhësore të të rinjve. Ndërsa anglishtja mbetet zgjedhja e parë, kërkesa për gjermanishten tani po rritet me shpejtësi si në shkolla, universitete dhe kurset e gjuhës. Gjimnazet me emër po përjetojnë një kërkesë në rritje për programet e gjuhës gjermane.

Shumë kurse gjermane në Institutin Goethe në Turqi janë të rezervuara plotësisht. 35 shkolla publike në Turqi kanë si lëndë mësimi gjermanishten. Megjithatë, aplikantët zakonisht duhet të jenë tek tre përqindëshi i më të mirëve.

"Turqia humb gati 80% të studentëve tek Gjermania"

Interesi në rritje për gjuhën gjermane është aktualisht i dukshëm edhe në universitetet turke. Provimi i pranimit bazohet në një sistem pikësh: sa më shumë pikë, aq më popullor është programi i diplomimit. Pikët e dhëna për programet gjermane po rriten si në shkollat ​​e mesme ashtu edhe në universitete.

Duket se, Gjermania po luan një rol gjithnjë e më të madh në planet e ardhshme të të rinjve. Shkollat ​​e njohura tani konsiderohen si një trampolinë për të studiuar në Gjermani. "Në të kaluarën, shkollat ​​e mesme elitare dërgonin deri në 80 përqind të të diplomuarve të tyre në universitetet turke. Sot, pothuajse po kaq shkojnë në Gjermani, e madje nga disa shkolla të mesme madje të gjithë maturantët", shpjegon eksperti turk i arsimit Salim Ünsal.

Sipas një raporti të përbashkët nga Goethe-Institut, DAAD dhe DW, kërkesa për gjermanishten po rritet në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, ka një mungesë të madhe mësuesish të gjermanishres në shumë vende. Edhe në Turqi, oferta nuk e përmbush dot kërkesën.

27 vjeçari Fatih Kalkan erdhi në Gjermani në fillim të vitit për të ndjekur studimet master. Ai thotë se kishte dëgjuar  që herët "nga miqtë dhe familja e tij se është e rëndësishme të jesh në gjendje të flasësh gjermanisht". Prandaj filloi të mësonte gjuhën gjermane që në Turqi. Meqenëse të gjitha kurset me prezencë, veçanërisht ato në Goethe-Institut, ishin të rezervuara plotësisht, Kalkan u detyrua të zgjidhte një kurs online.

Shanse të pakta punësimi në Turqi

Fatih tani po studion në Leipzig dhe vazhdon të mësojë gjermanisht. "Në fakt doja ta ndërtoja karrierën time në Turqi. Por për shkak të mundësive më të mira për zhvillim profesional jashtë vendit, vendosa të shkoj në Gjermani dhe Austri", thotë Kalkan. Situata e vështirë ekonomike luan një rol të madh për shumë të rinj turq. Sidomos të rinjtë i shohin njohurinë e gjuhës gjermane si kartëvizitë për studime universitare ose si një shans të mirë për të hyrë në tregun e punës në Gjermani. Përveç perspektivave më të mira të karrierës, situata e vështirë në tregun turk të punës, fuqia e ulët blerëse, kushtet stresuese të punës po çojnë gjithashtu në rritjen e emigrimit, thotë eksperti i gjuhës Ünsal.

Naz Kiraz, një 18-vjeçare turke, aktualisht jeton në Düsseldorf. Situata në Turqi ka luajur rol në vendimin e saj për të ardhur në Gjermani: "Mundësitë e karrierës në Turqi janë dukshëm të kufizuara. Nëse nuk ndjek një universitet shumë të mirë, rreziku i të mbeturit i papunë është shumë i lartë. Studimi jashtë vendit ishte çelësi për hapjen e mundësive të reja për mua."

Në një intervistë me DW, ajo e përshkruan gjermanishten si "një gjuhë globale shumë të respektuar" dhe shton: "Fillova të mësoj gjermanisht, sepse besoj se do të hapë mundësinë e studimit në Gjermani dhe do të përmirësojë perspektivat e mia të karrierës në Turqi. Kur bëhet fjalë për ofertat e punës, gjuhët që flisni janë po aq të rëndësishme sa përvoja." Ajo përfundoi nivelin B1 në Turqi dhe vazhdon të mësojë gjermanisht. Naz Kiraz planifikon të studiojë shkencat inxhinierike.

Liria e shprehjes faktor tjetër në vendimin për studime jashtë vendit

Një motiv tjetër për të studiuar jashtë vendit është edhe situata e lirisë së shprehjes në Turqi. Liritë akademike që kishte e bindën avokatin Sümer Alaz të qëndronte në Gjermani pas studimit master. Rreth tetë vjet më parë, ai filloi studimet e masterit në Marburg. Sümeri kishte mësuar gjermanisht privatisht në vendlindje. Tani, avokati punon për një organizatë joqeveritare në Berlin dhe ndjek doktoraturën për të drejtën kushtetuese. Ai është mirënjohës që ka mbërritur fillimisht në Marburg: "Në Berlin, mund të bësh gjithçka me anglisht dhe turqisht. Në Marburg, studentët e huaj flisnin edhe gjermanisht, kështu që u motivova të përmirësoja gjermanishten time."

Sümer Alaz shpjegon preferencën e tij për traditën intelektuale të gjuhës gjermane si më poshtë: "Gjermanishtja është një gjuhë universalisht e vlefshme që është e rëndësishme jo vetëm në drejtësi, por edhe në shumë fusha të tjera. Gjermanishtja është një nga gjuhët e pakta që ka në nivel mjaft të lartë akademik." DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos