Viti i ri mund të sjellë paqe mes Kievit dhe Moskës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë një vlerësim pozitiv për një bisedë që pati me të dërguarit e SHBA-së mbi mënyrën e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë. “Shumë gjëra mund të vendosen para vitit të ri”, siguroi Zelensky në një mesazh në X, në të cilin raportoi mbi “kontaktet e fundit” të negociatorit ukrainas Umerov me “palën amerikane”.
Zelensky tha se telefonata e së enjtes me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e cila zgjati gati një orë, kishte dhënë “ide të reja në aspektin e formateve, takimeve dhe... kohës se si të arrihet një paqe e vërtetë”. Ai foli një ditë pasi dha detaje mbi një plan të përditësuar paqeje prej 20 pikash, të dakordësuar nga të dërguarit e SHBA-së dhe Ukrainës në Florida.
Zelensky tha se u kishte kërkuar Witkoff dhe Kushner t’i përcillnin urimet e Krishtlindjeve Presidentit të SHBA-së Donald Trump “dhe të gjithë familjes Trump”. Kremlini tha se po analizonte propozimet e sjella nga SHBA-të nga një i dërguar rus. Trump dhe emisarët e tij kanë zhvilluar bisedime si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë në një përpjekje për të arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës që filloi nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Zelensky njoftoi se do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump “në të ardhmen e afërt”. Sipas revistës ruse Kommersant, udhëheqësi i Kremlinit Vladimir Putin deklaroi se Rusia, në negociatat me Shtetet e Bashkuara, vazhdon të kërkojë dorëzimin e të gjithë territorit të Donbasit, të cilin nuk ka arritur ta pushtojë. (A2 Televizion)