Parlamenti grek miratoi një ligj të ri që kriminalizon qëndrimin e paligjshëm në vend dhe forcon ndjeshëm masat ndaj emigrantëve pa dokumente.
Ligji parashikon kthimin me forcë të azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminalizon qëndrimin e paligjshëm, gjë që tani dënohet me dy deri në pesë vjet burg.
Ligji u miratua nga partia në pushtet, Demokracia e Re, me mbështetjen e partisë nacionaliste Niki dhe disa deputetëve të pavarur të ekstremit të djathtë. Të gjitha partitë e opozitës votuan kundër, duke e cilësuar ligjin si “racist”, “të paligjshëm” dhe “të pazbatueshëm”.
Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, tha se masa është në përputhje me politikat e reja të BE-së dhe synon të ndalojë flukset e emigracionit të parregullt.
Ligji është kritikuar ashpër nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe institucione greke, të cilat paralajmërojnë për shkelje të të drejtave themelore dhe konventave ndërkombëtare.
Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pas vendimit për pezullimin tremujor të kërkesave për azil për qytetarët nga disa vende të Afrikës së Veriut, duke thelluar më tej qasjen e ashpër të Greqisë ndaj emigracionit.
(A2 Televizion)