Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vlerësuar të paligjshëm arrestimin në flagrancë të 8 prej 10 personave të marrë në shqyrtim më 22 tetor 2026, në lidhje me protestat e zhvilluara në kryeqytet.
Sipas vendimit të gjykatës, për A. R., A. B., D. L., G. B., A. L., Y. I., Rr. Ç. dhe A. S. është konstatuar i paligjshëm arrestimi në flagrancë dhe nuk është caktuar asnjë masë sigurimi. Gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre të menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Ndërkohë, për T. T. dhe F. M., gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë, duke caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Të dy personat duhet të paraqiten të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00, pranë Prokurorisë së Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, personat nën hetim dyshohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. (A2 Televizion)