Prokurorët reagojnë pas deklaratave të Taulant Ballës: Aludimet për lidhje politike të prokurorit rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij

Nga A2 CNN
22 Tetor 2026, 16:51 | Politikë

Prokurorët reagojnë pas deklaratave të Taulant Ballës:

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar duke shprehur shqetësim për deklaratat publike të deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lidhur me vendimmarrjen e një prokurori të Prokurorisë së Tiranës për arrestimet gjatë protestave.

“Aludimet për lidhje politike të prokurorit, të lidhura me një vendimmarrje konkrete, rrezikojnë të cenojnë pavarësinë e tij, respektimi i së cilës është detyrim kushtetues dhe kërkesë e shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

“Prokurorët janë magjistratë dhe gëzojnë pavarësi në ushtrimin e funksionit të tyre. Në përmbushjen e detyrës, ata u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Vendimmarrja e prokurorëve duhet të mbështetet në faktet dhe provat e administruara, sipas kërkesave të ligjit, pa presione apo ndikime politike.

Në parim, çdo vendim i prokurorisë mund t’i nënshtrohet kritikës, përfshirë kritikën publike. Pavarësia e prokurorëve nuk përbën përjashtim nga llogaridhënia. Megjithatë, pretendimi për lidhje politike, pa paraqitur fakte konkrete në mbështetje të tij, e zhvendos debatin nga arsyetimi juridik tek diskreditimi personal dhe profesional i magjistratit. Kur një pretendim i tillë shoqërohet me thirrje publike për ndërhyrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkak të kësaj vendimmarrjeje, krijohet rreziku i ushtrimit të presionit mbi prokurorin dhe mbi vendimmarrjet e tij të mëtejshme. Përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veçantë për të shmangur këtë lloj retorike në komunikimin publik”.

Shoqata thotë se çdo pretendim për shkelje profesionale apo etike mund t’u paraqitet organeve kompetente, përfshirë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, dhe duhet të shqyrtohet mbi fakte, sipas procedurës ligjore. “Njëkohësisht, edhe organet që verifikojnë këto pretendime duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa presione politike. Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi dhe të shmangin aludimet që shënjestrojnë prokurorët. Mbrojtja e pavarësisë së magjistratëve i shërben një procesi të paanshëm dhe zbatimit të ligjit në mënyrë të barabartë për këdo”, thuhet në reagim.

Pas seancës së të enjtes në Parlament, Balla, sulmoi prokurorin e Tiranës, i cili nuk dërgoi në gjykatë çështjen për ngjarjet e dhunshme gjatë protestave, ku iu vu zjarri disa institucioneve shtetërore. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se prokurori ka lidhje politike me anëtarë të grupit demokrat dhe i bëri apel Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

“Por ajo që bëri një prokuror i Tiranës, i cili dihet për lidhje politike me anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike... Kur vihet zjarr në gjykatë të lartë, kur vihet zjarr në të gjitha ministritë, mbi bankën e Shqipërisë dhe një prokuror firmos mosdërgimin e çështjes në gjykatë unë nuk di nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në detyrë apo jo. Shpresoj që të jetë në detyrë”, tha ai, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos