
Kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kanë njoftuar nisjen e një Partneriteti Strategjik Kanada-Turqi, të mbështetur nga një plan veprimi trevjeçar.
“Në një mjedis global sigurie gjithnjë e më kompleks, me pasiguri gjeopolitike në rritje dhe sfida humanitare në ndryshim, një partneritet i fortë dhe elastik mes Kanadasë dhe Turqisë është thelbësor, pasi krijon bazën për të zbutur kërcënimet e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të dy liderëve, të publikuar të enjten.
Njoftimi vjen në kohën kur Carney po zhvillon një vizitë dyditore në Turqi, me synimin për të krijuar një partneritet të ri, ndërsa Kanadaja kërkon të ulë varësinë e saj nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratës, plani trevjeçar i veprimit mbështetet në katër shtylla: tregtia dhe investimet, mbrojtja dhe siguria, energjia dhe lidhjet mes njerëzve.
Në fushën e tregtisë, investimeve dhe inovacionit, të dy liderët ranë dakord të “punojnë drejt përfundimit me sukses të një Marrëveshjeje të Tregtisë së Lirë mes Kanadasë dhe Turqisë”. Ata do të synojnë gjithashtu të zgjerojnë tregtinë dypalëshe dhe investimet në sektorët prioritarë, përfshirë furnizimin me energji, prodhimin e pajisjeve ushtarake, industrinë hapësinore dhe inteligjencën artificiale (IA).
Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, liderët “theksuan synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh”. Ata ranë dakord gjithashtu të “forcojnë bashkëpunimin në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin euro-atlantik dhe më gjerë, përfshirë Ukrainën, Kaukazin Jugor dhe Lindjen e Mesme, veçanërisht Gazën”.
Ndërkohë, ministrat e Energjisë të të dy vendeve do të punojnë për fusha të tilla si gazi natyror i lëngshëm (GNL), energjia bërthamore dhe mineralet kritike.
(A2 Televizion)