Irani do të luftojë dhe do ta mbajë të mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Fjalët e para të ajatollahut të ri iranian, Mojtaba Khamenei, nuk lënë vend për keqkuptime. Në një deklaratë të shkruar, pa u shfaqur në person, udhëheqësi suprem përcolli mesazhe sfiduese ndaj Shteteve të Bashkuara, duke premtuar hakmarrje për gjakun e derdhur të iranianëve.
Ai u bëri thirrje shteteve fqinje të mbyllin bazat amerikane në territorin e tyre, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdojë t’i godasë.
Mojtaba Khamenei:“Sigurisht, leva e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit duhet të vazhdojë të përdoret. Dhe hapja e fronteve të tjera, ku armiku është shumë i cenueshëm, do të merret në konsideratë nëse lufta vazhdon, duke pasur parasysh interesat strategjike.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj nevojës për miqësi me fqinjët dhe kemi shënjestruar vetëm bazat amerikane. Tani e tutje, do të jemi të detyruar ta vazhdojmë këtë veprim.
Ne nuk do të heqim dorë nga hakmarrja për gjakun e martirëve tanë, veçanërisht për krimet kundër fëmijëve, si krimi i qëllimshëm në shkollën e Minabit.”
Televizioni shtetëror nuk ofroi asnjë shpjegim se përse mesazhi u lexua dhe nuk u përcoll në person, duke nxitur edhe më tej spekulimet mbi gjendjen e tij shëndetësore. Mundësia që një prej bllokadave më të rënda ndaj furnizimeve globale me energji të zgjasë ndikoi menjëherë në rritjen e çmimeve në mbi 100 dollarë për fuçi, pasi më herët gjatë javës ranë në 92 dollarë, kur Trump deklaroi se lufta do të mbaronte shpejt.
Menjëherë pas mesazhit të Khameneit, Garda Revolucionare njoftoi se do ta mbante të mbyllur ngushticën, sipas urdhrave të liderit. Dy anije morën flakë të enjten në një port irakian, pasi u goditën nga ato që dyshohet të jenë varka iraniane të mbushura me eksploziv, një sfidë e hapur ndaj Trumpit, që tha se SHBA e kanë fituar luftën. Të paktën një pjesëtar i ekuipazhit u vra.
Disa orë më herët, tre anije të tjera u qëlluan në gji, me Gardën Revolucionare që mori përgjegjësinë për të paktën një prej sulmeve. Në një tjetër front të luftës së paparashikueshme, sulmet ajrore izraelite goditën një ndërtesë në qendër të Bejrutit, duke çuar kolona të mëdha tymi drejt qiellit.
Pavarësisht pretendimeve të SHBA dhe Izraelit se kishin shkatërruar shumicën e stoqeve iraniane të raketave me rreze të gjatë, Irani goditi objektiva të tjerë në Kuvajt, Irak, Emirate, Bahrein dhe Oman.
E teksa dronët fluturojnë, presidenti Trump u përpoq të minimizonte rritjen e çmimit të energjisë, duke thënë se Washingtoni përfiton nga kjo.
“Jemi prodhuesi më i madh i naftës në botë. Nëse çmimet rriten, ne përfitojmë”, tha ai.
Ndërkohë, burime të inteligjencës amerikane, të cituara nga Reuters, thanë se regjimi iranian mbetet kryesisht i paprekur dhe nuk është në rrezik kolapsi të menjëhershëm. (A2 Televizion)