
Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, tha se vendi i tij nuk do të bëhet një “fushë e hapur për luftërat e të tjerëve”.
Salam iu drejtua publikut duke thënë se po “punon ditë e natë” për të ndalur luftën, të cilën sipas tij Libani është përpjekur ta shmangë me çdo mjet, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve.
“Nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë që Libani të bëhet një vend i hapur për luftërat e të tjerëve,” tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se presidenti Joseph Aoun ka nisur një “iniciativë për negociata me qëllim nxjerrjen e Libanit nga thellësia e krizës në të cilën është zhytur.”
Libani është një nga vendet e destabilizuara prej luftës, ku organizata ushtarake dhe politike Hezbollah, e mbështetur prej Iranit, ka luftuar me ushtrinë izraelite për një kohë të gjatë.
Gjithashtu Hezbollah-u, kontrollon gjysmën e Libanit dhe është fuqia dominuese në vend. Inkursionet ushtarake të Izraelit ditët e fundit në Libanin jugor kanë përshkallëzuar konfliktin dhe sipas Hezbollah-ut, konflikti do të zgjasë, nëse Izraeli nuk tërhiqet përfundimisht nga territori libanez. (A2 Televizion)