“Hamasi të pajtohet me të”, Blinken: Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për armëpushim

Nga A2 CNN
19 Gusht 2024, 20:07 | Bota

“Hamasi të pajtohet me të”, Blinken: Izraeli ka pranuar

Qeveria e Izraelit ka pranuar propozimin e paraqitur nga SHBA  për një armëpushim në Rripin e Gazës. Kështu deklaroi Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken nga Izraeli, ku pati një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallad, që zgjati 2.5 orë.

Blinken i bëri thirrje Hamasit të bëjë të njëjtën gjë me propozimin që SHBA-të e kishin paraqitur gjatë bisedimeve në Doha të Katarit, por që lëvizje militante e konsideronte shumë larg pritshmërive të tyre.

Në fjalët e tij, Blinken vuri në dukje se ka ardhur koha për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi në Gaza, e cila do të parashikonte kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe do të ofronte lehtësim për palestinezët që kanë vuajtur për 10 muaj luftime shkatërruese.

Ky është misioni i nëntë me radhë i Blinken në Lindjen e Mesme që nga fillimi i konfliktit tetorin e kaluar, ndërsa të martën ai pritet të jetë në Kajro për një raund të ri bisedimesh.

Të premten, raundi i parë i kontakteve përfundoi në Doha, megjithëse pak a shumë të gjitha palët sinjalizuan se mbetet ende punë për t’u bërë për të nënshkruar një marrëveshje.

Në një deklaratë të përbashkët nga Egjipti, Katari dhe SHBA thuhet se Uashingtoni i ka paraqitur Izraelit dhe Hamasit një propozim për armëpushim në Gaza, i cili mbyll boshllëqet e mbetura mes tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos